Simmons revoltohet me Lajçakun pas deklaratave për vizat, e quan BE-në “okupator kolonial”

Ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons është shprehur shumë i indinjuar me komentet e bëra sot nga emisari special për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili tha se kushdo që nuk i beson BE-së për liberalizimin e vizave, “mund të shkojë diku tjetër”.

Simmons është shprehur me një diskurs të ashpër karshi BE-së, duke thënë se përgjigja e Lajçakut është provë e arrogancës së BE-së.

Madje sipas tij, Bashkimi Evropian karshi Kosovës sillet si një okupator kolonial që nuk e pranon faktin se nuk është më relevant.

“Pse SHBA nuk po i udhëheq këto negociata”, ka pyetur ai.

“Përgjigja e Lajçakut është provë e radhës për arrogancën e BE-së. BE-ja në Kosovë sillet sikur një okupator kolonial që refuzon ta pranojë se s’është më relevante”, shkruan tutje Simmons.

Ndryshe, Lajçak sot është shprehur në terma shumë të ashpër kur është pyetur se sa është kredibile BE-ja  dhe liderët e saj kur dihet se ata nuk i kanë përmbushur premtimet për heqjen e vizave.

Lajçak ka thënë se kushdo që nuk i beson BE-së për vizat “mund të shkojë diku tjetër”.

Madje ai nuk e la fajtore BE-në për mos-heqjen e vizave, duke thënë se liderët kosovarë duhet t’u drejtohen vet shteteve që po e bllokojnë këtë proces.