KEDS: Zjarri në Muzeun e Dëshmorëve në Prizren erdhi si pasojë e instalimeve të brendshme

Sot është përfshirë nga zjarri kutia shpërndarëse e rrymës në Muzeun e Dëshmorëve në fshatin Landovicë të Prizrenit.

Ngjarja ka ndodhur vetëm katër ditë pas përurimit të këtij muzeu, ku pjesëmarrës ishte edhe Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Nga KEDS-i kanë bërë të ditur se djegia e kutisë shpërndarëse të rrymës ka të bëj me instalime të brendshme të objektit të cilat nuk janë në kompetencë të KEDS-it.

“KEDS sqaron që nuk ka të bëjë asgjë me rastin e djegies që ka ndodhur në Muzeun e Dëshmorëve në Prizren. Djegia ka ndodhur në instalime të brendshme të objektit të cilat nuk janë në kompetencë të KEDS-it. Kompania ka dërguar menjëherë një ekip për evitimin e secilit rrezik eventual”, thuhet në përgjigjen e KEDS.

Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit në Muzeun e Dëshmorëve, ku Komuna e Prizrenit është raportuar se ka investuar mbi 60 mijë euro.