Flet për herë të parë Sami Kurteshi për shkarkimin e Dakës

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi ka folur për herë të parë pas vendimit të presidentes, Vjosa Osmani për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka nga pozita e kryetares së këtij institucioni.

Sami Kurteshi për Periskopin ka thënë se vendimin për shkarkimin e Valdete Dakës e ka ‘kryer’ presidentja Vjosa Osmani dhe se nuk ka çfarë të thotë më shumë.
“Nuk kam ndonjë koment, kryetarja është shkarkuar. Atë punë e ka kryer presidentja. Kryetarja ma nuk është në fuqi dhe çkado që them unë më shumë, veç e teproj. Çka kam pasë me thënë e kam thënë zyrtarisht”, ka thënë ai për Periskopin.

Një ndër arsyet në vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e Dakës është edhe lejmimi i votimit me dokumente me afat të skaduar në zgjedhjet e fundit, propozim ky që ishte bërë nga Sami Kurteshi.

I pyetur rreth këtij arsyetimi, Kurteshi theksoi se është gjetje e presidentes dhe se ajo i ka shkruar.

“Po, po, ato janë arsyetime krejt presidentja që i ka gjetë, i ka shkru. Është vendimi i presidentes, mund të merreni me të dhe unë nuk kam ndonjë koment, absolutisht asnjë koment nuk e kam. Krejt çka kom pas me thënë lidhje me zgjedhjet, me KQZ, me krejta i kam thënë me kohë”, ka thënë ai.

Sami Kurteshi kishte pasur përplasje të ashpra në mbledhjet e KQZ-së me tashmë ish kryetaren Valdete Daka.