Debati mes Shpend Ahmetit dhe asamblistëve të VV-së për pak sa nuk përfundoi me rrahje

Një debat fort i ashpër, që duket se mund të përfundonte me rrahje, ka ndodhur dje mes kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe dy asamblistëve të Vetëvendosjes, Besnik Mujeci dhe Egzon Azemi.

Egzon Azemi e ka sqaruar se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e djeshme të Kuvendit Komunal dhe pse erdhi deri te ky debat me tone të ashpra.

“Askush nuk ishte diskutuar me të. Unë e mora fjalën dhe i përmenda me emra disa aksionarë të Ndërmarrjes Publike Banesore që të kërkoj sqarime rreth një projekt për të cilin kemi marrë informacione të ndryshme dhe e kemi parë një vendim që për dy ditë e kanë hapur një thirrje për bashkëfinancues në një projekt për ndërtimin e banesave në pronën e kësaj ndërmarrje që realisht është pronë e komunës. Debati u zhvillua mes neve dhe asambleistëve të LDK-së dhe PDK-së ku ne e shpërfaqëm bashkëpunimin që po e bëjnë asambleistët e këtyre dy partive tash e sa kohë ku kumbara e këtyre koalicioneve është Shpend Ahmeti”.

“Ne nuk ishim duke bërë asnjë kritikë ndaj Shpend Ahmetit në atë moment, kur ai e mori fjalën dhe filloi me shpifje, ofendime dhe fyerje që përfundoi edhe me kërcënime ndaj Besnik Mujecit të cilin e ftoi që t’i qërojnë hesapet jashtë. Intonacioni dhe mënyra e shprehjes e nënkuptonte që po kërkon përleshje fizike, por me aq sa e njoh Shpend Ahmetin nuk besoj që ka dashur të përfundojë ashtu. I ka disa reagime të mllefosura e shumë inat ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Duhet ta kalojë atë që ka ndodhur, sepse ka qenë zgjedhja e tyre dalja nga Vetëvendosja. Nuk mund që për vite të tëra të vetë-shitet viktimë e këtij rasti”.

Por, ai në Klan Kosova, u shpreh i bindur se kjo përplasje verbale nuk mund të eskalonte deri në përleshje fizike.

Si e sheh asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje mandatin e dytë të Shpend Ahmetit në krye të Prishtinës?

“Mbase fillimi i pandemisë ka qenë periudhë pozitive kur tamam ka qenë në rolin e kryetarit të komunës. Kjo ka qenë periudha më e mirë e tij gjatë katërvjeçarit, derisa për pjesën tjetër e kemi parë të gjithë që është jashtëzakonisht joprofesionale dhe dëmet janë të ndryshme – që nga uzurpimet e pronës publike, mosmbajtja e asnjë premtimi madhor dhe dështime të shumta”.

Azemi ka thënë “jo buka, po kulaçi” kur e ka krahasuar qeverisjen e Shpend Ahmetit dhe Isa Mustafës.

“Shpend Ahmeti e ka ngritur sadopak nivelin, sepse ku qeveris Vetëvendosja është ngritur niveli. Në këtë drejtim besoj që ka qenë sado pak e mirë. Për këtë katërvjeçarin që është pa Vetëvendosjen qytetarët e kanë vlerësuar dhe e kanë parë një ndryshim të jashtëzakonshëm që ka ndodhur. Ka tash e katër vjet që në Prishtinë nuk është kryetar vetëm Shpend Ahmeti, aty ka subjekte të ndryshme që menaxhojnë dhe qeverisin me sektorë të ndryshëm ku edhe ku nuk pyetet fare”.

Asambleisti i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka lënë të nënkuptohet se Arben Vitia do të jetë kandidati i kësaj partie për kryeqytetin.