Borrell deklarohet para takimit Kurti-Vuçiq: Dialogu s’do të jetë i lehtë, pres angazhim nga të dyja palët

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell ka mbajtur një konferencë për media para takimit të nivelit të lartë të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel

Borrell para mediave deklaroi se dialogu nuk do të jetë i lehtë, por që pret edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq që të vazhdojnë dialogun pa vonesa dhe të fokusohen që ky dialog të sjellë rezultate.

Borell ka deklaruar se në takimin e sotëm i pranishëm do të jetë edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, derisa, takimin Kurti-Vuçiq e ka lidhur edhe me vizitën e presidentit amerikan në Bruksel.

“Sot, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ne do të mbajmë një takim të ri të nivelit të lartë të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Mua më vjen mirë që kjo po ndodh në të njëjtën kohë kur Bashkimi Evropian do të takohet me presidentin Biden, këtu në Bruksel. Sërish është kënaqësi që t’i takojmë në Bruksel presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti. Në këtë moment i inkurajoj q të vazhdojnë dialogun pa vonesa dhe të fokusohen që të sjellin rezultate. Ne e dimë që dialogu s’do të jetë i lehtë, por ky proces me dy palët e angazhuara është i nevojshëm për përfitimet e njerëzve në Kosovë dhe në Serbi”, deklaroi Borrell.

Poashtu ai theksoi se dialogu është rruga më e mirë për në Bashkimin Evropian për të dyja palët teksa shtoi se BE-ja ka investuar në kuadër të këtij dialogu që të arrihet një marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell deklaroi se është një momentum i ri që duhet të kapet dhe se kjo është e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë e poashtu edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Dialogu është rruga më e mirë për në Bashkimin Evropian për të dyja palët dhe deri më tani dialogu ka sjellur përfitime të mira për të dyja këto palë”, shtoi Borrell.

Borrell tha se BE dhe personalisht ai kanë investuar për të parë progres në dialog si dhe për të arritur në një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve në mes dy shteteve.

“Është një momentum i ri dhe duhet ta përdorim, është momentum i ri në BE për Ballkanin Perëndimor. Dhe është mirë për gjithë rajonin që të kapin këtë mundësi. Kjo është e rëndësishme për gjithë rajonin dhe jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë. Një marrëveshje në mes dy vendeve do të ishte e rëndësishëm dhe ne shpresojmë që ky dialog të zhvillohet”, shtoi ai.

Ndryshe pritet që gjatë ditës, Borrell dhe Lajçak fillimisht të takojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më pas presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, përpara takimit të përbashkët të cilin do të zhvillojnë më vonë.