Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka prezantuar punën që ka bërë prej marsit kur edhe e mori detyrën e udhëheqjes së këtij digasteri.
Ministrja Nagavci njoftoi se vendimi i parë i saj ishte për mësim plotësues dhe ai për organizim të përshpejtuar për 441 nxënës të Komunës së Kamenicës.
Nagavci ka treguar se viti shkollor do të përfundoj më 2 korrik dhe se testi i maturës do të mbahet me 26 qershor.
“Udhëzimi administrativ që është në fuqi e ka paraparë përfundimin me 10 qershor por përshkak të pushimit pranveror dhe vendimin që kemi marrë për organizimin e pushimit veror është zgjatur mësimi deri më 8 korrik. Përkundër kësaj dhe nga raportimet nga komunat dhe disa ditë janë zëvendësuar të shtunave dhe mësimi do të zgjatë deri më 2 korrik”, tregoi Nagavci.
Fëmijët e klasave të para dhe të dyta kishin qenë në fokus rreth procesit të mësimit plotësues.
“Vendimi për organizimin e mësimit plotësues për nxënësit që kanë pasur ngecje për arritjen e rezultateve si pasoj e pandemisë COVID-19. Ky proces është zhvilluar në nivelin e arsimit parauniversitar në fokus te shkolla fillore e sidomos te klasa e parë dhe e dytë por edhe në nivele të tjera varësisht prej përcaktimeve të shkollave dhe komunave për ngecjet apo nevojat që nxënësit kanë pasur për plotësim. Na janë përcjellë raportet nga DKA-të për numrin e nxënësve që kanë marrë pjesë në këtë mësim plotësues dhe puna po vazhdon ngase nevoja për të përmirësuar rezultat janë evidente edhe më shumë përshkak pandemisë COVID-19. Kemi marrë vendimin për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar për 441 nxënës të komunës së Kamenicës ”, tha Nagavci.
Nagavci mes tjerash tregoi se janë në pritje 239 raporte që kërkojnë shqyrtim nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, për çka thekson se janë duke u marrë hapa për Agjencinë e Akreditimit rreth ndarjes së lokacionit.
“Urgjenca që ne të kemi këtë këshill shtetëror funksional është për faktin që janë në pritje 239 raporte të ekspertëve ndërkombëtar dhe 10 raporte për akreditim institucional. Pra është urgjencë që të konstituohet sa më shpejtë këshilli cilësisë ashtu që të shqyrtohet të gjitha raportet në mënyrë që viti i ri akademik të na gjejnë të përgatitur konform përgatitjeve. Presim që shumë shpejt Agjencia Kosovar e Akreditimit të vazhdoj punën në një lokacion të ri dhe përtej kësaj kam filluar edhe procedurat për rekrutimin e stafit për Agjencinë Kosovare të Akreditimit. Është e rëndësishme që të krijohen të gjitha parakushtet ashtu që të gjithë studentët që i përfundojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë të kenë diploma që njihen edhe në vende të tjera”, tregoi ministrja Nagavci.
This image has an empty alt attribute; its file name is Arberie-Nagavci-Konferenca-4-of-8.jpg
Ndërsa në bashkëpunim me universitetet publike, Nagavci thotë të kenë marrë gjitha masat që kuotat e regjistrimit të studentëve të rinj të jenë në përputhje me nevojat e tregut të punës
Në këtë konferencë, Nagavci foli edhe për statusin e Universitet të Mitrovicës së veriut, për çka tha se funksionimi i këtij universiteti nuk është legjitim.
“Legjislacioni në Kosovë, ligj i miratuar në 2008 e parasheh që universiteti i Mitrovicës së Veriut të kenë një status të veçantë ky universitet menaxhohet nga komuna e Mitrovicës së veriut e që ka të bëjë me investime në infrastrukturën e tij dhe për këtë nuk kërkohet pëlqim i veçantë nga MASHTI. Sa i përket funksionimit të këtij universiteti mund të them se nuk është legjitim përshkak se nuk hartuar një status në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës dhe nuk është akredituar nga agjencia kosovare e akreditimit. Për këtë arsyeje dhe nuk financohet nga buxheti i Kosovës. Ministria konsideron se kjo çështje duhet të adresohet përmes dialogut me komunitetin serb në Kosovë në kuadër të gjetjes së zgjedhjes për statusin e arsimit në gjuhën serbe dhe në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës ”, tha Nagavci.