Miftaraj: E trishtë të shohësh Vetëvendosjen që vazhdon me kapjen e institucioneve dhe dhe shkeljen flagrante të ligjit

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se sot Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës ka votuar Komisionin për Provimin e Jurisprudencës në kundërshtim të plotë me Ligjin për Parandalim e Konfliktit të Interesit dhe në shkelje flagrante të nenit 18 pika e 5 e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Miftaraj u shpreh se është e trishtë të shohësh Vetëvendosjen që vazhdon me kapjen e institucioneve dhe shkeljen flagrante të ligjit.

“Historiku, Ministria e Drejtësisë e propozon Kryetarin e Komisionit në kundërshtim me ligj. Qeveria e meriton propozimin në kundërshtim me ligj. Komisioni për legjislacion sot e vazhdon kundërligjshmërinë”, thotë Miftaraj.

Tutje theksoi se “Kuvendi në ditët në vazhdim do të votoj nëse do të vazhdojë me shkelje të ligjit, apo do të ndalë këtë kundërligjshmëri”.

“E trishtë me pa VV me vazhdu me kapjen e institucioneve dhe shkeljen flagrante të ligjit. Atë që e kanë mbrojt me vite, po e shkelin në pak ditë. Kapja e shtetit vazhdon, keq qeverisja dhe sundimi i ligjit nuk janë prioritet i qeverisë Kurti. Praktika e supermeneve me ritëm të shpejtë promovohet nga Qeveria Kurti”, ka deklaruar ai.

“Superment dhe lepujt po kthehen në praktikë nën qeverinë Kurti 5 dhe 6 pozita apo funksione në të njëjtën kohë dhe tash praktikë e Qeverisë Kurti, Bravo. P.S. IKD flet me fakte. Faktet janë kokë forta dhe ekspozojnë keq këtë kapje të shtetit”, thotë Miftaraj në shkrimin e bërë në Facebook.