Në Qendrën e vaksinimit, në sallën “1 Tetori”, po vijon vaksinimi i qytetarëve me dozën e parë dhe të dytën të vaksinës kundër COVID-1-, Pfizer dhe Astra Zeneca.
Që nga fillimi i procesit të vaksinimit e deri më tani janë 88 mijë e 400 qytetarë të cilët kanë marrë vaksinën kundër COVID-19.
Kurse vetëm gjatë kësaj të mërkure në qendrën e vaksinimit në Prishtinë dozën e dytë të vaksinës e kanë marrë 800 persona
Koordinatori i qendrës së vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi tha se sot janë vaksinuar mbi 800 persona me dozën e dytë të vaksinës. Ndërsa numri i përgjithshëm i të vaksinuare ka shkuar në 88 mijë.
“Procesi i vaksinimit në sallën ‘1 Tetori’ dhe në nivel vendi është duke vazhduar. Aktualisht deri në këto qaste që ne flasim, kemi të vaksinuar mbi 800 persona me dozën e dytë të vaksinës, qoftë nga vaksina Pfizer apo AstraZeneca, ndërsa nëse flasim në nivel vendi deri më tani janë të dhëna gjithsej 88 mijë e 400 vaksina”, tha ai.
Qytetarët që kanë marrë dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19, thonë për KosovaPress se procesi i vaksinimeve me termine më i lehtë, meqë nuk po presin në rend.
Sahit Muçolli rikujtoi situatën kur edhe e kishte marrë dozën e parë të vaksinës antiCOVID-19.
“Kur kam marrë dozën e parë të vaksinës ka qenë problem shumë i madh, të dytën me telefon më kanë thirr dje, më kanë tregu terminin erdha këtu gjithçka po shkon në rregull po më duket që kanë marrë mësim këta po e shihni i kanë bërë 15 vende, herën e parë ka qenë 3 vende”, tha ai.
Për tollovinë e krijuar javët e para të procesit të vaksinimit e kishte përjetuar edhe Fahrije Bajraktari. Vec kësaj, ajo nuk kishte ndonjë probleme nga marrja e vaksinës.
“Dozën e parë nuk kam pas mundime, normal dora pak më ka dhimbtë, as temperaturë as kurgjo skam pas[…] Dozën e parë pak kemi pas një tollovi bukur të madhe, po doza e dytë po shkon shumë në rregull”, tha ajo
Në 24 orët e kaluara në Kosovë janë vaksinuar 2 mijë e 805 persona.