Lirohet nga paraburgimi personi që dyshohet se premtoi 320 mijë euro për kryerjen e tri vrasjeve, dërgohet në arrest shtëpiak

Pas një muaji qëndrimi në paraburgim, M.GJ, i cili dyshohet për shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në tentativë, është dërguar në arrest shtëpiak.

Kërkesën për zëvendësimin e masës së paraburgimit në atë të arrestit shtëpiak e ka bërë Prokuroria Themelore në Gjakovë, përkatësisht prokurori Ali Uka, të cilën kërkesë, me aktvendim e ka aprovuar Gjykata Themelore e Gjakovës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të propozimit të prokurorit të shtetit dhe të gjitha shkresave të lëndës ka ardhur në përfundim se ndaj të pandehurit të lartcekur duhet të ndërpritet masa e paraburgimit dhe e njëjta të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak, pasi që qëndrojnë arsyet ligjore të parapara me dispozitat e nenit konform nenit 183 par.1 nënparag.2 lidhur me nenin 187 parag.1 nënparag.1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1 dhe 1.2.3 të KPP-së”, thuhet në aktvendim të gjykatës.

Në aktvendim thuhet se mosrespektimi i masës së arrestit shtëpiak apo në raste të shkeljes së kësaj mase nga ana e të akuzuarit do të zëvendësohet me masën e paraburgimit.

Sipas kërkesës për caktimin masës së paraburgimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, M.GJ po dyshohet se nga fundi i muajit janar të vitit 2020, në lokalin “Scorpion” në Gjakovë, me dashje ka shtyrë personin tjetër, L.M që të kryej vrasjen e trefishtë, duke i premtuar shuma të larta të të hollave për kryerjen e këtyre vrasjes.

Siç thuhet në këtë kërkesë, i pandehuri fillimisht e thërret L.M, kinse për të biseduar rreth shitblerjes së një banese, ndërsa më pas në vendin dhe kohën e cekur si më lartë, për kryerjen e tri vrasjeve i premton shumën prej 20,000 euro për vrasjen e B.Sh, 200,000 euro për vrasjen e Gj.Gj, dhe 100,000 për vrasjen e djalit të B.Sh, i cili ndodhet në vuajtje të dënimit për vrasje.

Gjithnjë sipas kërkesës, pas disa dite L.M shkon tek restoranti “Potok” në fshatin Potok të Gjakovës, ku edhe kishte lënë takimin me Gj.Gj, të cilin e njofton në tërësi për personin i cili ishte duke i shtyrë për të kryer vrasjen me pagesë ndaj tij, B.Sh dhe djalit të tij, ku më pas, të dëmtuarit marrin edhe një telefonat nga nipi i tyre i cili ndodhet në Gjermani, i cili i njofton që të kenë kujdes meqë M.GJ ishte duke përgatitur vrasjen e tyre.

Për këtë, ai po dyshohet për kryerjen e veprës penale “shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në tentativë”, nga neni 173 paragagrafi 1, nënparagrafi 1.8 e lidhur me nenin 32 paragrafin 3 dhe nenin 28 të KPRK-së.