Vazhdon procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në Prishtinë

Po vazhdon procesi i Legalizimit të ndërtimeve pa leje në Komunën e Prishtinës, i cili ka filluar në korrik të vitit 2019.

Ushtruesja e detyrës së udhëheqësit të Sektorit të Legalizimit në Drejtorinë e Urbanizmit, në Komunën e Prishtinës, Lindita Beqiri, në një përgjigje përmes postës elektronike për Radio Kosovën ka bërë të ditur se çdo ditë e më shumë është duke u rritur numri i qytetarëve që po aplikojnë.

“Procesi i Legalizimit në Komunën e Prishtinës është duke vazhduar dhe çdo ditë e më shumë është duke u rritur numri i aplikacioneve sidomos nëpër lagjet ku aplikuesit pajisen me Certifikatë të Legalizimit, andaj në këtë sektor shpresojmë që të ketë sa më shumë aplikues. Duke pasur parasysh numrin e madh të ndërtimeve pa leje në Komunën e Prishtinës, interesimi i qytetarëve është duke u rritur çdo ditë e me shumë”, tha ajo.

Ndërsa, drejtori i Kompanisë “ Geo Consulting” në Prishtinë , kompani e cila merret me përgatitjen e një pjese të dokumenteve të qytetarëve për procesin e legalizimit, Sabri Zylfiu, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se interesimi i qytetarëve është shumë i vogël.

“ Interesimi i qytetarëve të cilët po aplikojnë për procesin e legalizimit të objekteve, është shumë i ulët. Në këtë drejtim është bërë pak për të informuar qytetarët se cilat janë përfitimet dhe dobitë e legalizimit të pronave.”, tha ai.

Kostoja e pagesës për qytetarët të cilët aplikojnë për legalizimin e objekteve për një metër katror është 1 euro për objekte të kategorisë së parë, për shtëpi familjare, ndërsa 2 euro për objekte të tjera me karakter afarist. Afati i fundit për aplikim është deri më 4 shtator 2021.