Ka kaluar mbi një vit e gjysmë që nga koha kur në Kosovë janë paraqitur rastet e para të të infektuarve me koronavirus.
Që nga ajo kohë në vend ndryshuan disa herë radhazi masat që parashihej të parandalonin përhapjen e këtij virusi.
Pavarësisht kësaj, Policia e Kosovës vazhdoi që të përcjell nga afër respektimin e këtyre masave.
Ngjashëm është vepruar edhe në 24 orëshin e fundit ku janë shqiptuar 387 tiketa në bazë të ligjit antiCOVID, për të gjithë qytetarët dhe bizneset që nuk respektuan këto masa.
Ndërkohë që sot kanë hyrë në fuqi masat e reja antiCOVID-19. Masa këto që mori Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së premtes.
Me masat e reja është paraparë heqja e orës policore dhe zgjatja e orarit të punës për sektorin e gastronomisë.
Po ashtu si masë lehtësuese është edhe heqja e maskës kur lëviz i vetëm rrugës.
Aktualisht në vend janë 2 mijë e 380 raste aktive me COVID-19.
Numri total i rasteve pozitive është 107.405 raste nga 609.350 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.243 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 130 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 102.782 raste.