Krerët e partive opozitare në Kosovë, i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut me Serbinë. Albert Krasniqi nga Demokraci Plus vlerëson se presioni i Uashingtonit ndaj palëve për arritjen e një marrëveshjeje eventuale, mund të jetë shumë më i madh sesa nga Brukseli zyrtar.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit që ka pasur të mërkurën me kryeministrin Kurti, ka thënë se pa pjesëmarrjen e SHBA-së, nuk duhet të ketë dialog me Serbinë.
“Pjesëmarrja e SHBA-së është e pakontestueshme. Pa pjesëmarrje të SHBA-së as që duhet të ketë dialog. Kosova vlerëson rolin e BE-së, por domosdoshmërish e kërkon përfshirjen e SHBA-së në dialog. Kjo është e padiskutueshme”, është shprehur Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të dijë qëndrimin politik të qeverisë për procesin e dialogut.
“Kosova duhet të dijë që cili është qëndrimi politik i Qeverisë së Kosovës në dialog dhe po e presim se cili është ky pozicion, dhe bëmë një ofertë, ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik, që në mendojmë që Qeveria e Kosovës duhet ta ketë. Ky dokument përmban parime që dialogu duhet t’i mbrojë e që janë diskutimi mbi bazën e GJND-së, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterit unitar të Kosovës dhe rendit kushtetues”, ka thënë Abdixhiku.
Përfaqësim amerikan Kurtit i ka kërkuar të martën edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
“Ajo që po hetojmë është mungesa e prezencës së Shteteve të Bashkuara në dialog, mendojmë se kjo është situatë jo e mirë për Kosovën, e prish balancën e interesave të Kosovës në dialog. Do të ishte shumë me dobi një emisar, një i ngarkuar nga SHBA-ja, në këtë rast nga presidenti (amerikan), Joe Biden
Në takimin me kryeministrin Kurti, drejtuesit e LDK-së i kanë dorëzuar atij një dokument, me pikëpamjet e kësaj partie lidhur me dialogun, duke kërkuar që të respektohen parimet e prezantuara në të dhe që rezultati përfundimtar në dialog të jetë njohja e ndërsjellë.
Iniciativën e kryeministrit Kurti, për të takuar liderët e partive opozitare, e ka refuzuar ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike (PDK), Enver Hoxhaj.
Përfshirja direkte e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të bëhet vetëm pse këtë e kërkojnë partitë politike në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë, Albert Krasniqi nga Demmokraci Plus.
Sipas tij, përfshirja e SHBA-së, është e domosdoshme në një proces kaq të rëndësishëm për Kosovën.
“Nuk besoj që do të mund të kishte një marrëveshje përfundimtare pa përfshirjen e SHBA-së. Por, ata kanë zgjedhur një rol më anësor, duke mos u përfshirë direkt, por që njëkohësisht gjithmonë kanë qenë një palë aktive qoftë edhe përmes kërkesave të cilat i kanë pasur ndaj palëve në Kosovë ose në Serbi”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se presioni i SHBA-së mund të jetë shumë më i madh saqë mund të bëhet nga vendet e BE-së karshi Kosovës dhe Serbisë.
“Vetë besimi i qytetarëve, por edhe i partive politike në një ndërmjetësim të SHBA-së, është më i madh dhe konsiderohet se do të sillte një zgjidhje më të qëndrueshme në raport ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kurse BE-ja si partner gradualisht ka filluar të humbë terren në mesin e përkrahësve në Kosovë, për shkak të dështimeve që i kanë pasur deri më tani dhe premtimeve që nuk janë realizuar në raport me Kosovën”, tha Krasniqi.
Në muajin qershor pritet të mbahet një takim mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Kurti ka theksuar disa herë se nuk do të zhvillojë takimet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, pa u konsultuar me spektrin politik në Kosovë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011 në Bruksel.