Gjykata Themelore në Ferizaj, edhe pas rigjykimit, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me një vit burgim inspektorin e ndërtimit në Shtime, Taulant Salihaj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas aktgjykimit të shpallur të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, në kuadër të dënimit me burg të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Salihaj gjithashtu obligohet që t’ia kthejë të dëmtuarit shumën prej 1,080 euro, të paguajë paushallin gjyqësor në shumën prej 100 euro, si dhe shumën prej 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.
Ndryshe, Taulant Salihaj edhe më 26 nëntor 2019 ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Ferizaj dhe ishte dënuar me një vit burgim. Ai gjithashtu obligohej që t’ia kthejë të dëmtuarit shumën prej 1,080 euro.
Mirëpo, e pakënaqur me lartësinë e dënimit të shqiptuar, Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, nga e cila kishte kërkuar që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më i ashpër. Ndërkaq, mbrojtja kishte kërkuar lirimin e tij.
Pas shqyrtimit të ankesave të tyre, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim që çështja të kthehej në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 14 mars 2019, nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, e të precizuar në seancën e 25 majit 2021, Taulant Salihaj akuzohet se në shtator të vitit 2017 dhe në prill të vitit 2018, në cilësi të personit zyrtar, si inspektor ndërtimi në Komunën e Shtimes, me qëllim të përfitimit të pasurisë së kundërligjshme, kishte shfrytëzuar detyrën e tij dhe kishte tejkaluar kompetencat zyrtare.
Në aktin akuzues thuhet se Salihaj nuk kishte ndërmarrë veprimet ligjore për ta ndaluar ndërtimin pa leje të dy shtëpive në Shtime të pronarit Haxhi Shabani. Sipas prokurorisë, me rastin e inspektimit të punimeve ndërtimore në muajin shtator 2017, Salihaj nuk kishte hartuar procesverbal për të urdhëruar ndërprerjen e punimeve, mirëpo kishte bërë marrëveshje me pronarin që t’ia kryej projektin e ndërtimit të shtëpisë për çmimin prej 500 euro, i cili kishte vazhduar me projektin e shtëpisë së dytë për çmimin prej 580 eurove, duke përfituar shumën prej 1,080 euro në emër të projekteve ndërtimore për të dy shtëpitë.
Siç thuhet në aktakuzë, edhe pse detyra e tij kishte qenë që t’i ndalonte ndërtimet pa leje, ai kishte lejuar të dëmtuarin Shabani që t’i ndërtojë dy shtëpitë pa e pajisur me leje.
Për këtë, prokuroria pretendon se ai ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.