Ndikimi i pandemisë COVID-19 kishte efekt negativ në ekonominë e Kosovës dhe atë të rajonit. Ndërsa menaxhimi i pandemisë në vendete Ballkanit në përgjithësi ishte i përafërt, për nga miratimi i pakove fiskale.
Derisa Maqedonia e Veriut ishte i vetmi shtet që ka miratuar pakon e gjashtë fiskale në ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi ishin vendet me numrin më të vogël të pakove fiskale. Ndërsa sektorët më të dëmtuar në vendet e Ballkanit ishin kryesisht gastronomia, turizmi, transporti, infrastruktura, ndërtimtaria.
Kështu u tha në konferencën rajonale “Ndikimi ekonomik dhe pasojat e krizës”, të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore (OEMVP) dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë të Qarkut të Vlorës (DHTIQV).
Sekretari i përgjithshëm i Odës së Afarizmit të Kosovës, Diamant Elshani tha se të gjitha aktivitetet ekonomike u pezulluan gjatë valës së parë të ballafaqimit me pandeminë.
Sa i përket sektorëve më të afektuar nga pandemia në Kosovë, Elshani tha se ishin gastronomia, tregtia me shumicë, tregtia me pakicë, prodhimtaria dhe ndërtimtaria.
Ai theksoi se mungesa e stabilitetit politik që mbretëroi në Kosovë ndikoi shumë në menaxhimin me pandeminë, pasi u ndërruan tri qeveri.
“Jostabiliteti politik ndikoi edhe më shumë në ekonominë e vendit gjatë pandemisë. Ndryshimi i tre qeverive bëri që Kosova të pësojë edhe më shumë gjatë kësaj periudhe”, tha ai.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Drilon Iseni tha se për të menaxhuar më mirë me pandeminë e shkaktuar nga virusi COVID në tre-mujorin e parë, qeveria e Maqedonisë solli tre pako masash.
Ai tha se Maqedonia e Veriut është vendi me më së shumti pako në rajon.
“Sektorët më të dëmtuar në Maqedoni rezultuan të jenë gastronomia dhe hoteleria. Qeveria ka përshtatur masat konform nevojave të reja të ekonomisë. Ideja jonë ishte që të ruajmë vendet e punës dhe likuiditetit të kompanive”, tha ai.