208 mijë automjete të paregjistruara, sfidë për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër

Numri i madh i automjeteve të paregjistruara dhe mos anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) po i pamundësojnë vendit të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër, raporton KosovaPress.

Megjithëse për zgjidhjen e kësaj sfide, Byroja Kosovare e Sigurimeve i ka paraqitur së fundmi qeverisë aktuale disa alternativa.

Drejtori Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku thotë se deri në fund të vitit 2020 numri i automjeteve të paregjistruara është 208 mijë e 10 apo 30 përqind e automjeteve në vend që nuk kanë regjistrim.

Numri i atyre që janë të regjistruara është 370 mijë, kurse sipas Mazrekut, kriter për Kartonin e Gjelbër është që vendi të ketë numrin e përgjithshëm të automjeteve të paregjistruara nën 5 përqind.

Mazreku thotë se duhet të zgjidhen këto probleme të brendshme në bashkëpunim me institucionet përkatëse deri në fund të vitit që pastaj, siç deklaron ai, të arrihet marrëveshje veç e veç me shtetet anëtare të BE-së siç janë Gjermania, Austria, Sllovenia e kështu me radhë.

“Brenda një kohe të shkurtër unë kam pasur dy takime me qeverinë aktuale, një me zëvendëskryemintren Emilia Rexhepi dhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati, ku e kam potencuar që ne i kemi disa alternativa për zgjidhje. E para është që ne veç po e bëjmë përmbylljen e marrëveshjeve me Malin e Zi, kjo neve na hap rrugë për të bërë marrëveshje me një shtet tjetër. Pse po e them këtë me një shtet tjetër e jo direkt me Bruksel, sepse Kosova për të qenë pjesë e Kartonit të Gjelbër është një kusht politik ku Kosova duhet me qenë pjesë e OKB-së. Unë nuk mundem me dhënë premtime politike, ne mundemi të bëjmë vetëm propozime se cilat janë problemet e brendshme, cilat janë zgjidhjet që ne duhet t’i bëjmë bashkë me Qeverinë, bashkë me ministritë, si dhe me Bankën Qendrore që deri në fund të vitit ta kemi një situatë të re të gjendjes së brendshme që nesër-pasnesër të ulemi me Austrinë, Slloveninë, Gjermaninë apo me ndonjë shtet tjetër mik për ta bërë një zgjidhje alternative dhe jo direkt përmes Brukselit. Ky është premtim publik që është i mundshëm, mirëpo që nuk varet vetëm nga Byroja Kosovare e Sigurimit, sepse kudo që shkon bëhen pyetje specifike, dhe disa tema që diskutohen, se sa është numri i automjeteve të paregjistruara, sa janë aksidentet në Kosovë. Prandaj, po e potencoj, duhet të kryhen disa probleme të brendshme para se të bëjmë zgjidhje për Kartonin e Gjelbër”, thekson Mazreku.

Ndërkaq, tash e shumë vjet qytetarët e Kosovës para se t’i regjistrojnë automjetet e tyre janë të detyruar që të paguajnë taksë komunale, si pagesën e tatimit në pronë, si dhe gjobat e trafikut.

Për këtë, drejtori Mazreku në një intervistë për KosovaPress ka kërkuar heqjen e këtyre kushtëzimeve që sipas tij janë kundër kushtetuese.

Derisa ka bërë të ditur se që nga paslufta deri më 2020, 55 milionë euro janë dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara.

“Është problem numri i lartë i automjeteve të paregjistruara, dëme milionëshe në kompanitë e sigurimeve që paguajnë. Nëse i referohemi komplet vitit 2001 me të njëjtat të dhëna deri në vitin 2020 ne kemi paguar 55 milionë euro dëme për automjetet pa sigurim. Ajo çka ka ndodhur në këto vite është që Byroja nuk ka mundur të inkasojë më shumë mjete se sa 500 mijë euro. Do të thotë totali i të hyrave që i ka kthyer këto pagesa është vetëm 500 mijë euro, që i bie se edhe nga Byroja ka pasur një qasje ndryshe për këto raste. Mirëpo, kemi bërë një plan të ri dhe thirrja ime është që qytetarët të mos dalin pa sigurim, sepse të gjitha dëmet që i shkaktojnë pa sigurim ata në fund duhet t’i paguajnë vet. Unë besoj me një qasje ndryshe, me një partneritet me qeverinë, me disa ndryshime ligjore ku hyn ligji i automjeteve, heqja e kushtëzimeve që ne mendojmë se janë kundër kushtetuese. Sa i përket kushtëzimit të regjistrimit të veturave, unë personalisht e kam bërë një ankesë te Avokati i Popullit ku e kam potencuar që në disa vite më herët Ministria e Financave në mënyrë që t’iu ndihmojë komunave e ka nxjerrë një udhëzim ku iu ka mundësuar që ta kushtëzojnë pagesën e taksës prej 10 euro për regjistrimin e veturave me pagesën e tatimit në pronë. Në momentin kur ne kemi bërë një ankesë dhe kemi kërkuar që kjo të hiqet ka avancuar procesi nga një udhëzim, MF e ka vendos tash në ligj, ne të njëjtën e kemi kundërshtuar përmes institucionit të Avokatit të Popullit dhe mendoj që qeveria për t’ju ndihmuar qytetarëve duhet që këto kushtëzime t’i heqin që janë tatimi në pronë, gjobat e trafikut dhe çdo kushtëzim tjetër i cili e pamundëson që qytetarët t’i vazhdojnë regjistrimet me kohë”, thekson ai.

Sa i përket mundësisë së vazhdimit të marrëveshjes së vitit të kaluar me qeverinë për pagesën e sigurimeve në kufi për bashkatdhetarët, Mazreku thotë se nuk është që ka pasur interesim dhe kërkesë nga ekzekutivi.

Ndonëse nuk ka qenë e dobishme për Byronë, ai thotë se nuk ishte dashur të ulet çmimi në 35 përqind marrë parasysh edhe numrin e vogël të bashkatdhetarëve që kanë ardhur vitin e kaluar për shkak të pandemisë.

Sipas Mazrekut, BKS nga kjo marrëveshje ka mbetur pa i inkasuar rreth 300 mijë euro.

“Nuk është që ka pasur ndonjë kërkesë për këtë çështje, ne jemi vetëm në fund të majit, mirëpo nëse Qeveria e Kosovës mendon se duhet të vazhdojmë me të njëjtën formë duhet të ndodhë një diskutim përmes një takimi dhe për të parë format se si ata mendojnë. Ajo që ka ndodhur në vitin e kaluar ka qenë për një kohë të caktuar nga data 1 gusht deri më 31 dhjetor ku fillimisht qeveria ka kërkuar që çmimi të ulet për 35 përqind, duke ditur se do të ketë numër më të ulët të qytetarëve. Unë besoj që është dashur të ndodhë e kundërta, jo të ulet çmimi, ose të mbetet sa ka qenë, ose të rritet për një masë të vogël, duke qenë kështu një masë shtesë për t’i ndihmuar Byronë që dëmet të paguhen në kohë. Marrëveshja ka përfunduar më 31 dhjetor, neve na kanë mbetur edhe disa mjete pa inkasuar për shkak se në marrëveshjen e vitit të kaluar është potencuar që çdo polisë që shitet duhet të kalojë në verifikim nga Policia e Kufitare duke ditur që qytetarët nuk kanë pasur mundësi të dalin jashtë Kosovës dhe qytetarët kanë pasur mundësi për të blerë polisën online, në zyrën qendrore, dhe faktikisht nuk kanë kaluar përmes kamerave të policisë. Ndërsa, po shohim si të bëjmë zgjidhje për këtë pjesë ku është një shumë e pa inkasuar prej 293 mijë euro në total që nuk është inkasuar nga ajo marrëveshje, mirëpo kam propozuar që të bëhet një grup punues dhe të shihen format për të mbyllur atë marrëveshje. Për marrëveshjen e re nuk është që ka ndonjë interesim, por nëse Qeveria ka interesim, normal që duhet të bëhet një kërkesë tek ne, të shqyrtohet dhe për t’i parë mundësitë edhe për të vazhduar tutje”, shprehet ai.

Pandemia COVID-19 ka krijuar probleme edhe në industrinë e sigurimeve, sipas drejtorit Mazreku, kjo ka ndikuar në rritjen e numrit të automjeteve të pasiguruara.

Për këtë Mazreku në takimin e fundit me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin ka kërkuar urgjent që të formohet një grup punues për gjetjen e zgjidhjes së automjeteve të paregjistruara.

“Nëse i referohemi shifrave të vitit të kaluar, ose më saktësisht të dhënave në mars të vitit 2020 kur edhe filloi pandemia, në bazë të të dhënave që ne i kemi marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë qenë 148 mijë vetura të paregjistruara. Edhe gjatë vitit të kaluar jemi ballafaquar me sfida të ndryshme, duke u filluar nga pandemia, mbyllja e zyrave, mbyllja e qendrave të regjistrimit dhe qytetarët nuk kanë pasur mundësi që këto vetura t’i regjistrojnë me kohë. Mirëpo, shihet që edhe gjatë vitit 2020 është një numër i madh që nuk kanë mbërri të vazhojnë regjistrimin. Aktualisht nëse flasim me shifra nga viti 2001 deri në vitin 2020 kemi saktë 208 mijë e 10 vetura (të paregjistruara). Mirëpo, këtu duhet të bëhet një sqarim që besoj edhe Ministria e Punëve të Brendshme e sqaron të njëjtën mënyrë se kjo ministri ende nuk e ka nxjerrë një udhëzim që ne e kemi kërkuar që duhet dhe është shumë e nevojshme që të pastrohen listat e automjeteve të paregjistruara. Mirëpo duhet të potencohet që edhe nga të dhënat që kemi marrë nga Ministria e Brendshme, kjo ministri këto të dhëna që nuk vazhdohen (sigurimi) i sheh si të dhëna të arkivuara. Nuk ka marrë asnjë lloj veprimi, as nuk kanë shkuar për të vazhduar regjistrimin, as nuk kanë shkuar për ta ç’lajmëruar. Për ata ne kemi kërkuar dhe kemi bërë një plan konkret. Edhe gjatë takimit me ministrin e Financave, Hekuran Murati, kemi kërkuar që urgjent të formohet një grup punues”, thotë ai.

Në fund Mazreku ka thënë se kanë në plan dhe i kanë propozuar Ministrisë së Punëve të Brendshme nënshkrimin e një marrëveshjeje të re të bashkëpunimit ku Byroja Kosovare e Sigurimit investon në pajisje teknologjike tek Policia e Kosovës që i identifikojnë komplet veturat e paregjistruara dhe i ndihmojnë policisë në këtë proces.