Hoxhaj: Shkarkimi i ambasadorëve nga Kurti, skandali më i madh në politikën e jashtme

U.D së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar pas shkarkimit të 12 ambasadorëve nga misionet diplomatike nëpër botë.

Sipas Hoxhajt, vendimi në fjalë përbën skandalin më të madh diplomatik në politikën e jashtme të vendit.

Hoxhaj theksoi se Qeveria Kurti, me veprimin e djeshëm për kthimin e ambasadorëve me “çelës politike”, ka suspenduar Politikën e Jashtme.

“Qeveria Kurti, me veprimin e djeshëm për kthimin e ambasadorëve me “çelës politik”, e ka suspenduar Politikën e Jashtme. Në 23 misione diplomatike, Republika e Kosovës nuk ka ambasadorë. Kjo përbën skandalin më të madh në Politikën e Jashtme të Kosovës. Largimi i përnjëhershëm i ambasadorëve me “çelës politik” është i paprecedent, i pamatur, i pa analizuar mirë. Veprime të tilla kamikaze e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, e zbehin subjektivitetin ndërkombëtar dhe i përmbysin të arriturat e dy dekadave të fundit në diplomaci”, shkroi Hoxhaj.

Ndryshe ambasadorët e shkarkuar me këtë rast janë:Nait Hasani — Shqipëri, Gjergj Dedaj — Maqedoni e Veriut, Ylber Hysa — Mal i Zi, Shpend Kallaba — Hungari, Arbër Vllahiu — Çeki, Gëzim Kasapolli — Koraci, Avni Kastrati — Slloveni, Beqë Cufaj — Gjermani, Lirim Grajqevci — Holandë, Hajdin Abazi — Australi, Amir Ahmeti — Katar dhe Avni Arifi — Emiratet e Bashkuara Arabe.

Lajmi për vendimin e MPJ-së e bëri të ditur zyrtar i kësaj ministrie, Kreshik Ahmeti.

“Në përputhje me Ligjin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka përcjellë gjatë kësaj jave tek Presidentja e Republikës së Kosovës, propozimin për lirim nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të emëruar politikisht, duke i falënderuar për punën dhe angazhimin e deritanishëm. Lidhur me këtë, ministrja Gërvalla do të deklarohet më hollësisht gjatë ditës së nesërme”, shkroi ai në Facebook.

Ndryshe sot pritet që ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla të mbajë një konferencë për media ku prite të jap detajet lidhur me këtë ngjarje.