Ismaili: Programi i qeverisë për shëndetësinë është vetëm për ministrin Vitia, vetëm ai e kupton

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka kritikuar programin e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, duke thënë se ai nuk prezanton kërkesat e qytetarëve dhe as nuk trajton të ardhmen e tyre.

Ismaili në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës, tha se programi i prezantuar nga Qeveria Kurti nuk është konkret, nuk ka afate kohore e as plan për implementim. Ai tha se në mungesë të vizionit, qeveria ka zgjedhur një program për t’i ikur përgjegjësisë dhe llogaridhënies.

Kritikat më të mëdha i pa pasur për programin e qeverisë në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë, ku për këtë të fundit tha se e kupton vetëm ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Jemi në një gjendje të vështirë tepër, me 340 mijë nxënës të cilët do të dalin të pashkolluar dhe jo të gatshëm për tregun e punës. Çka ka programi qeverisës, asgjë, ama asgjë fare. Kur dilni të lavdëroni programin qeverisës, ju kisha lutur të paktën jepeni edhe kritikën ku ka nevojë me qenë…Në krizën më të madhe të shëndetësisë, kur ekziston një pajtueshmëri jashtëzakonisht e madhe që duhet të ketë investime, duhet të jetë shëndetësia prioritet çka ndodh, Vitia na sjell një program me një faqe, jo një fletë, një faqe. Në këtë program përmendet një herë qytetari dhe një herë pacienti, kaq. Sepse ky program nuk është bërë as për pacientë e as për qytetarë. Realisht dhe fatkeqësisht, ky program nuk është bërë as për mjekët, as për infermierët as për profesionistët shëndetësor. Ky program është vetëm për ministrin Vitia, vetëm ky po e kupton. Kur e lexon këtë program, ti duhesh të mendosh çka ka menduar ky për ta realizuar, nuk ka asgjë për brengat e qytetarëve, nuk ka asgjë për shqetësimet e profesionistëve shëndetësor”, tha ai.

Ismaili tha se në mungesë të vizionit, Qeveria Kurti 2 do t’i ngecë edhe ato projekte të mira, të cilat tha se janë nisur.