Myftiu Naim Tërnava ka uruar Fitër Bajramin dhe ka kërkuar nga besimtarët që edhe këtë herë të festojnë duke respektuar masat kundër pandemisë.
Ai ka thënë se nesër do të falet namazi i Bajramit, por ceremonia do të anulohet.
“Ne nesër kemi festë dhe bashkërisht do të jemi në xhamitë tona për të falur namazin e Fitër Bajramit, por të kemi kujdes se virusi ende është në mesin tonë. Prandaj, për të ruajtur shëndetin publik ne kemi hequr dorë nga ana ceremoniale e manifestimit tradicional të Bajramit. Në xhami do të jemi duke respektuar protokollet anti-COVID dhe për të falur vetëm namazin e Fitër Bajramit”.
Tërnava ka bërë thirrje për kujdes edhe gjatë vizitave familjare duke kërkuar që të ruhet karakteri i festës, por pa shkelur rregullat.
Myftiu tha se Ramazani bëri bashkë njerëzit mes vete dhe i bëri më fisnikë.
“Sonte është natë e madhe, nata e Fitër Bajramit, me iftarin e së cilës besimtarët përfundojnë Ramazanin dhe bëhen gati për të festuar. Agjërimi është ibadet që kryhet me norma të caktuara që besimtarët e kryejnë vetëm për krijuesin e tyre. Ramazani në vete ka bartur momente dhe ibadete të veçantë duke na fisnikëruar. Ishim më shumë pranë më të dashurve tonë”.