Varianti indian mund të jetë 60% më infektues se ai britanik, i cili ka bërë kërdi deri tani në gjithë botën.
Teksa varianti britanik ka shkaktuar një ngritje shumë të madhe të rasteve të të infektuarve globalisht, problemet mund të mos mbarojnë këtu.
Varianti britanik i quajtur B1.1.7 është i ditur të jetë rreth 70% më infektues se varianti origjinal i koronavirusit, mirëpo varianti indian është 60% më infektues se ai britanik.
Kjo mund të mos duket problem, por varianti indian që është emërtuar B.1.617 veçse ka filluar të përhapet në disa vende evropiane, që do të thotë se përhapja mund të bëhet e pakontrollueshme.
Deri më tani, Britania ka identifikuar të paktën 520 raste me 3 variante indiane B.1.617, B.1.617.2 dhe B.1.617.3.
Ekspertët këshillojnë që kujdesi të jetë maksimal, sepse shpërndarja e këtij varianti mund të bëhet një goditje fatale e papërballueshme për botën, e sidomos shtetet me përqindje të ulët të vaksinimeve.
Studime të sakta për variantin indian nuk janë bërë akoma, por deri më tani është vërtetuar se është më infektues dhe dyshohet se gjithashtu mund të shmangë anti-trupat, pra gjendja e pacientit me këtë virus do të jetë shumë më e rëndë dhe më vështirë e tejkalueshme.
Teksa varianti britanik është 1.6 herë më infektues se varianti origjinal nga Wuhan, varianti indian është 2.6 herë më i shpejt në infektim.
Ekspertët kanë thënë se kjo përhapje më e fuqishme e variantit indian është e lidhur me shmangien që i bënë sistemit imunitar.
Studimet e hershme kanë sugjeruar se vaksinat janë më pak efektive ndaj varianteve të tjera në krahasim me virusin origjinal, dhe gjithashtu këto variante bëjnë që njerëzit të riinfektohen shumë më lehtë.
Pra, imuniteti që keni nga infektimi ose vaksinimi mund të mos bëjë shumë punë me këtë variant. Mirëpo këto supozime nuk janë vërtetuar akoma, dhe studime të mëtutjeshme duhet bërë.