Kurti: Do ta përgatisim padinë ndaj Serbisë për gjenocid, dialogu do të jetë parimor dhe i përgatitur mirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë ka prezantuar programin qeverisës, ku ndër pikat ai tha se është edhe përgatitja e padisë ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë.

Kurti theksoi se dialogu do të jetë i përgatitur mirë dhe do të përfundojë me marrëveshje për njohje reciproke.

Kurti po ashtu tha se do të bashkëpunojnë ngushtë me Shqipërinë.

“Do të bëjmë dialog parimor, të përgatitur e të barabartë me Serbinë me marrëveshje të njohjes reciproke. Do të afrohemi e bashkëpunojmë ngushtë me Shqipërinë. Do ta përgatisim padinë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha Kurti.

Ai po ashtu shtoi se do të ketë mbikqyrje civile të FSK-së, ndërkaq tha se shteti do të jetë i aftë për mbrojtje të sovranitetit të vendit.

“Do të jemi të aftë për mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial dhe do të bëjmë mbikëqyrje  civile të FSK-së”, tha Kurti gjatë prezantimit të programit.