Veseli në Kosovë kërkoi ta takonte edhe nënën për t’iu gjendur afër shkaku i gjendjes së babait të tij

Ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli qëndroi gjatë kësaj jave në Kosovë, pas lirimit me kusht që ia mundësoi Specialja për ta vizituar babanë e tij i cili tash e disa ditë është i shtrirë në Spitalin e Mitrovicës si shkak i gjendjes së rëndë shëndetësore.

Në kërkesën e bërë nga avokati Emmerson për lirimin e përkohshëm të Veselit për ta vizituar babanë e tij, ishin bashkëngjitur edhe raportet mjekësore, të cilat sipas Emmerson tregojnë se babai i Veselit është në gjendje “kritike për jetë”.

“Duke pasur parasysh moshën e shtyer të Z. Veseli, gjendjen aktuale dhe problemet ekzistuese shëndetësore të paraqitura në raportin mjekësor bashkangjitur këtij aplikacioni, parashikimi është i tmerrshëm. Sipas mjekëve që e mjekojnë atë, Z. Veseli është në një “gjendje kritike për jetë”, thuhet në njërin prej paragrafëve të kërkesës.

Tutje, Emmerson në kërkesën e tij për vizitën e Veselit ka thënë se klienti i tij është shumë i dëshpëruar për gjendjen e babait të tij.

Aty thuhet se kërkesa për ardhjen e Veselit në Kosovë është e mbështetur edhe nga nëna e tij 92-vjeçare, si dhe vëllau i Veselit.

“Z. Kadri Veseli, kuptohet, është jashtëzakonisht i dëshpëruar. Dëshira e tij e menjëhershme është të jetë me familjen e tij të ngushtë dhe të jetë në krah të babait të tij para se ai të vdesë. Kjo kërkesë mbështetet nga nëna 92 vjeçare e z. Kadri Veseli dhe vëllai i tij. Autorët e raportit mjekësor kanë ofruar një deklaratë përmes së cilës ata pohojnë se ata janë të lidhur me ligjin që parandalon dëshmitë e rreme para Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet tutje në kërkesën të cilën e kishte parashtuar mbrojtja.

Kërkesa në fjalë nga mbrojtja e Veselit është cilësuar si “urgjente”.

E gjatë vizitës në Kosovë, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson kishte kërkuar që klienti i tij të vizitojë edhe nënën, në një kohë kur ajo është në gjendje të rëndë emocionale për shkak të gjendjes shëndetësore të babait të Veselit.

“Objektivisht, është njerëzore dhe thelbësore që Z. Veseli të ngushëllojë nënën e tij në një kohë kur situata mjekësore e babait të tij është kaq e rëndë, Subjektivisht, ajo është një nga qëllimet kryesore të vizitës së kujdestarisë. Siç detajohet më poshtë, mund të bëhet me prishje minimale të protokollit të sigurisë”, thuhet në deklaratë – kërkesën e avokatit Emmerson.

Bazuar në rrethanat e rënduara familjare të Veselit, avokati kishte kërkuar një vizitë 15-minutëshe tek nëna e tij, pak para vizitës së dytë në spital tek babai.

Se a është lejuar Veseli ta vizitojë nënën e tij, ende nuk dihet pasi që në lidhje me kërkesën e tij nuk ka pasur ndonjë shkresë të publikuar.

Ndryshe, Kadri Veseli bashkë me krerët e tjerë të UÇK-së që gjenden në Hagë, janë në paraburgim që nga nëntori i vitit të kaluar.

Paneli i Apelit ua refuzoi atyre para pak ditësh kërkesën për mbrojtje në liri, pavarësisht garancave të fuqishme të dhëna nga Policia e Kosovës.