Reagon Gërvalla: Asnjëherë s’do pushoj së kërkuari drejtësi, heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz ka reaguar lidhur me deklarimet e shumta që u bën drejt saj gjatë ditëve të fundit.

Gërvalla tha se asnjëherë nuk do të pushoj se kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës deklaroi se kjo është ma e pakta që mund të bëjë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë, transmeton lajmi.net.

Sipas saj heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin. Ajo shtoi tutje se Kuvendi i Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij sa i përket Gjykatës Speciale dhe sipas saj si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetarë i përulet çdo vendimi të Kuvendit.

Postimi i plotë:

Dje, sot por edhe nesër!

Asnjeherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit.

Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh.

Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij. Si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetare i përulem çdo vendimi të Kuvendit.

Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim.

Shumë punë na presin, vërtet.