Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi do të vizitojë nesër Kosovën.
Komisioneri Evropian nisi vizitën e tij në Ballkanin Perëndimor gjatë ditës së djeshme në Serbi, derisa përgjatë kësaj vizite ai foli shkurt për dialogun, duke thënë se BE-ja do të investojë në këtë çështje në mënyrë që të përfundojë si histori suksesi.
“Ne patëm një vizitë të suksesshme të presidentit serb në Bruksel dhe bisedime të suksesshme poashtu për këtë çështje. Ne do të investojmë kapacitetet tona për të ndihmuar dialogun dhe për ta bërë atë një histori suksesi”, tha ai.
Gjithashtu ai theksoi rëndësinë e vaksinimit antiCOVID, derisa tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor sa i përket përballjes me këtë virus.
Gjatë ditës së nesërme në Kosovë do të arrijnë edhe vaksinat antiCOVID të cilat janë pjesë e një donacioni të BE-së të destinuar në Ballkanin Perëndimor me 651 mijë doza gjithsej, e ku 5 mijë prej tyre do të jepen për qytetarët e Kosovës.
“Do të udhëtoj drejt Ballkanit Perëndimor për të përçuar mesazh të qartë: Ne kujdesemi! Ne kujdesemi për partnerët tanë dhe kujdesemi për punëtorët e tyre shëndetësorë dhe ata më të rrezikuarit. Shpërndarja e vaksinave konfirmon përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të ofruar përkrahje, siç kemi bërë që nga shpërthimi i pandemisë”, tha ai.
I njëjti do të arrijë nesër në Kosovë derisa pritet të zhvillojë disa takime radhazi me krerët e shtetit.