Me rritjen e fushatave të vaksinimit, duket se udhëtimet ndërkombëtare do të rihapen pak e nga pak.
Së fundmi, Komisioni Europian ka rekomanduar që shtetasit e huaj plotësisht të vaksinuar kundër Covid-19 dhe kushdo që udhëton nga vendet me një situatë të mirë epidemiologjike të lejohen të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Europian pa kufizime shtesë, raporton Reuters.
“Komisioni propozon të lejojë hyrjen në BE për arsye jo thelbësore jo vetëm për të gjithë personat që vijnë nga vendet me një situatë të mirë epidemiologjike, por edhe për të gjithë njerëzit që kanë marrë dozën e fundit të rekomanduar të një vaksine të autorizuar nga BE,” thuhet në deklaratë.
Sipas një plani të Komisionit Europian, BE do të rihapet për pushuesit nga fillimi i qershorit.
Kërkesat ekzistuese për t’iu nënshtruar testimit të Covid para ose pas mbërritjes ose për t’u karantinuar mund të zbatohen ende nga disa vende anëtare, por zyrtarët e BE thanë se “shpresojmë që me përmirësimin e situatës dhe rritjen e nivelit të vaksinimit, të shohim një fazë graduale të këtyre kushteve”.
Komisioni po propozon edhe një plan emergjence. Në rast se situata epidemiologjike e një vendi që nuk është pjesë e Bashkimit Europian përkeqësohet ose zbulohet një variant i ri, vendet anëtare në BE mund të pezullojnë udhëtimet.