OAK kërkon nga Kuvendi fuqizimin e ligjeve për zhvillim ekonomik

Fuqizimi i ligjeve, Gjykata Komerciale, Ligji për Investime Strategjike dhe oferta më e favorshme për të bërit biznes në vend është më se e domosdoshme për bizneset në rritjen ekonomike dhe mirëqenien sociale në vend.

Këto ishin kërkesat e kryetarit të Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, gjatë takimit me Komisionin Parlamentar për Ekonomi Industri.

Ai tha se bashkëpunimi në mes të Odës së Afarizmit të Kosovës dhe Komisionit parlamentar është mjaft i nevojshëm dhe mund të jetë i frytshëm në përmirësimin e ligjeve, kushteve dhe krijimin e mundësive të të bërit biznes që aq shumë i nevojitet Kosovës.

Kreu i OAK-ut tha po ashtu se duke marrë parasysh gjendjen e rëndë në të cilën janë bizneset edhe si rezultat i pandemisë, por edhe si rezultat i mungesës së ndryshimit të ligjeve dhe harmonizimit të tyre, duhet krijohen ligje sa më efikase për zhvillimin ekonomik.

“Parlamenti i Kosovës në këtë drejtim ka qenë më pak aktiv dhe shumë ligje kanë mbetur në rrugë e sipër dhe disa janë rikthyer për disa herë. Prandaj, në këtë drejtim kemi ngecje të disa ligjeve. Ne si OAK mbulojmë mbi 50 përqind të të punësuarve në Kosovë dhe kemi anëtarë qindra biznese. Në këtë drejtim kemi kontribuar në kontuinitet duke iu dhënë qeverive të ndryshme, parlamentit, por edhe në kuadër të këshillit kombëtar të zhvillimit ekonomik”, theksoi Krasniqi.

Ai ngriti edhe shqetësimin e tij se shumë investitorë potencialë të huaj me kapital me miliarda euro nuk ia kanë arrit të investojnë në Kosovës si pasojë e ligjeve jo efikase.

“Nevojë të madhe kemi që të diskutohet ligji për investime, jo të huaja, që t’i jepet mundësia të gjitha bizneseve ku do që janë që të investojnë, duke krijuar ofertë për investime qoftë me apo me 100 të punësuar. Ligji për investime strategjike ka skaduar, pasi që ka qenë me afat 3 vjeçar dhe është shumë e nevojshme që ky Ligj të diskutohet para se të kalon të vazhdohet afati dhe të mos jetë ai që është tani për shkak se me miliarda euro investime kanë ardhur në Kosovë dhe nuk janë trajtuar. Pra, kanë kaluar vetëm dy investitorë strategjik për tri vjet. Kemi po ashtu ligjin për falimentim, gjykatën komerciale, ligji për tregti të brendshme, është i nevojshëm… Kemi kërkesë për ligjin për sponsorizim që të ketë shtesa në plotësim ndryshim, si dhe për ligjin për miniera dhe minerale”, thotë ai.

Ai informoi deputetët se OAK ka një numër të madh të anëtarëve, biznese dhe se kanë krijuar edhe Këshilla profesionalë për biznese në shumë fusha.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala deklaroi se në kuadër të këtij aktiviteti kanë interes institucional që të jenë më afër komunitetit të biznesit më drejtpërdrejt për komunikim, bashkëpunim dhe në shkëmbim të ideve dhe punëve.

“Këtë aktivitet po e bëjmë me të vetmin qëllim që në këtë fazë kur ende nuk kemi plan qeveritar, kur ende nuk kemi plan legjislativ. Po ashtu ende nuk kemi si Komision parlamentar planin tonë final dhe në pritje të kësaj do të jenë të mirëseardhura të gjitha vërejtjet, sugjerimet, propozimet dhe planifikimet tjera që ne t’i inkorporojmë në pjesën e asaj që është plan i punës së Komisioneve. Jemi në kohën dhe momentin e duhur në relacion me ju që ne të marrim të gjithë atë që ju e vlerësoni që duhet të jetë pjesë e punës së përbashkët parlamentare apo ligjvënës”, theksoi Shala.

Deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj tha se Kuvendi duhet të marrë parasysh kërkesën e OAK për lirimin nga taksat dhe për lirimin nga lënda e parë.

Po ashtu deputeti Lekaj tha se Qeveria me sloganin “Krejt dhe drejt”, duhet të bëjë zgjidhje për kërkesat e bizneseve, veçanërisht në këtë kohë të pandemisë.

“Keni arsye shumë të madhe që kërkesat e juaja të realizohen, sepse minimumin e kemi bërë që t’iu subvencionojmë në këtë vit me pandeminë. Ne jemi munduar brenda kapaciteteve që i ka pasur qeveria, po besoj që ka qenë minimumi. Sepse nëse nisem nga rajoni, mendoj se ata shumë më tepër kanë subvencionuar bizneset se sa Kosova, si Maqedonia, Shqipëria dhe Kroacinë e mos të flasim për shtete të tjera. Dhe mendoj se ju prapë ja keni dalë të mbijetoni, por jeni nën zero… Ne si opozitë do të mundohemi, por numrat nuk i kemi, por qeveria dhe politika që udhëheq tani ka kuptuar ‘krejt dhe drejt’. Pra, ata mendoj se duhet, sepse nuk kanë pengesa”, tha Lekaj.

Komisioni në kuadër të takimeve me komunitetin e biznesit, javën e kaluar kishte pritur në takime të ndara kryeartin e OEK, të Odës Ekonomike Amerikane dhe të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.