Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në Bruksel para mediave për rrjedhjen e disa “Non Papers” ku flitet për ndryshim kufijsh e autonomi të serbëve në veri të Kosovës.
Kryeministri para mediave tha se ndaj këtyre “Non Papers” është më së miri të përgjigjet me “no comment), pasi që sipas tij përmes tyre ato ide po bëhen më të zëshme.
Ai ka thënë se nuk mund të lejohet ringjallja e projekteve të dështuara për shkëmbim terriotorial dhe bosnjëzim të Kosovës.
“Unë besoj që të gjithë këtyre ‘non-papers’ është më së miri t’iu përgjigjemi me ‘no comment’ (pa koment) sepse përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë në kohë që nuk dihet autori dhe synimet, por pasojat nuk mund të jenë të mira. Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial dhe as bosnjëzimin e Kosovës”, tha Kurti para mediave.
Ndryshe, në një deklaratë tjetër të dhënë para mediave në Bruksel, Kurti konfirmoi sot se nuk do të marrë pjesë në takimin e 11 majit me Vuçiqin të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë për Politika të Jashtme të BE-së, Joseph Borrell.