Në raportimin e Ministres së Ekonomisë në Komisionin Parlamentar, sot është folur në lidhje me pagesën e energjisë elektrike të qytetarëve të veriut të Kosovës.
Sekretari i PDK-së, deputeti Uran Ismaili, ka thënë se Ministria e Ekonomisë duhet të ketë një mendim të qartë se si do të veprojë në këtë situatë.
“Në kohë pandemie, kur ministri i Financave çdo ditë na thotë që nuk ka para për të paguar bizneset që po falimentojnë, po dëshironi që të gjeni para për të paguar energjinë elektrike për qytetarët e Veriut të Kosovës. Do të thotë, Qeveria duhet të tregojë se a do ti liroj nga pagesa e rrymës qytetarët në Veri të Kosovës”, ka thënë Ismaili
Ismaili i ka kërkuar ministres së ekonomisë, Artane Rizvanolli, që të dalë me vizionin e saj se si do të menagjoj këtë situatë.
“Ju duhet ta tregoni vizionin tuaj. Nuk jemi këtu për të diskutuar problemet historike, por vizionin tuaj për zgjidhjen e tyre. Nëse nuk keni plan konkret, ju duhet të paktën të keni qëndrim politik për këtë çështje. A do ti lironi qytetarët e Veriut nga pagesa e energjisë elektrike apo jo?”, e ka pyetur Ismaili.
“Edhe nëse pagesa e rrymës bëhet nga Qeveria, prapë po do të thotë se qytetarët e Kosovës po paguajnë rrymën edhe për Veri. Nëse e paguan KOSTT, prapë do të paguajë nga investimet të cilat i ka paraparë për avancimin e këtij institucioni”, shtoi Ismaili.