Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se pret që të ketë një rund të radhës të dialogut Kosovë – Serbi më 11 maj. Borrell ka thënë se nuk ka asgjë të re për të ofruar, por ka thënë se rruga evropiane duhet të jetë stimulim i mjaftueshëm për palët për të arritur drejt një sukses në dialog.
“Kemi folur për dialogun. Kam thënë dhe e kam vlerësuar përkushtimin e presidentit Vuçiq ndaj dialogut dhe e inkurajoj të vazhdojë me këtë qasje drejt arritjes së një marrëveshje gjithpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për palët. Duhet të vazhdojë procesi, përkundër vështirësive. Do të kemi një takim me kryeministrin e ri të Kosovës, nuk është në fakt i ri, pasi ishte kryeministër kur filluam. Shpresoj të kemi një rund të radhës të dialogut në datën e paraparë 11 maj. Nuk kam asgjë për të ofruar, vetëm dua të shpjegojë sa i rëndësishëm është të vazhdohet ky dialog. Pasi është mënyra e vetme për të arritur drejt një zgjidhje dhe marrëveshje gjithpërfshirëse e ligjërisht të obligueshme. Vetëm rruga evropiane duhet të jetë stimulim i fuqishëm për të pasur sukses ky dialog”, ka thënë Borrell, që ka shtuar se synimi i tij është që gjithë Ballkani Perëndimor të integrohet në BE.
E presidenti i Serbisë, Vuçiq, i pyetur për takimin në Bruksel, ka thënë se ishte më i miri ndonjëherë për të.
Të dy kanë folur edhe për hartën që është folur në media të kryeministrit slloven Janez Jansha.
Vuçiq ka insistuar se nuk ka folur për Janshan që para pandemisë. Ai ka shtuar se Serbia nuk ka shkelur marrëveshjen e arritur në Washington po ashtu.
“Shpresojmë që edhe pala tjetër të plotësojë ato premtime që i ka bërë”, ka shtuar Vuçiq, duke thënë se po pret plotësimin e premtimeve edhe të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.