Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për menaxhimin e pandemisë Covid-19, ka thënë se do të kishte qenë e udhës që Qeveria ta ftonte për një diskutim të tillë, sepse çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme, këtë betejë me pandeminë, do të duhej ta shtronte në një rrafsh social e jo politik.
Ai ka kritikuar Kurtin se i ka braktisur qytetarët në kohën kur ata po ballafaqohen me pandeminë dhe nuk po merret sigurimin e vaksinave.
Fjalimi i plotë i Hoxhajt:
Të nderuar deputetë
I nderuar kryeministër Kurti, ministra, zonja dhe zotërinj.
Do të kishte qenë e udhës që Qeveria të na kishte ftuar neve opozitën në një diskutim të tillë, të hapur.
Sepse çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme, këtë betejë me pandeminë, do të duhej ta shtronte në një rrafsh social e jo politik.
Në një rrafsh real e jo dogmatik. Në një rrafsh të bashkëpunimit e jo të izolimit.
Nëse për asgjë tjetër, do ta bënte për të na njoftuar se çka ka ndërmarrë deri me sot për të siguruar vaksinat, si dhe për të na njoftuar për planin e saj emergjent për vaksinimin e popullsisë.
Do të ishte e udhës që në rast nevoje, edhe të na kërkonte ndihmë e bashkëpunim, me aq sa kemi potencial e mundësi për ta ndihmuar.
Por u desh që ne si opozitë, ta ftojmë në këtë debat qeverinë.
Sepse pas një muaji qeverisje, kryeministri dhe ministri i shëndetësisë, jo vetëm që kanë dështuar ti sigurojnë vaksinat, por kanë qenë edhe të papërgjegjshëm e të pa ndërgjegjshëm, përballë pasojave që pandemia po lë tek qytetarët.
Dhe nuk po flasim më për pasoja dytësore. Po flasim për humbjen e jetës së qytetarëve tanë.
Prandaj, për PDK-në, nuk ka një moment të dytë por ky është momenti që t’iu kërkojmë përgjegjësi.
Sepse keni aq shumë përgjegjësi për këtë situatë, por s’keni ndërmarrë as edhe një veprim konkret për ta menaxhuar atë siç duhet.
I nderuar kryeministër Kurti.
Ke qenë shumë aktiv në përsiatjet tua gjatë këtij muaji, por tërësisht pasiv sa i përket përgjegjësive që ke.
Nuk jam këtu që të flas për veprimet tua politike, për të cilat do të të gjykojnë qytetarët,
por jam këtu për të të thënë se qytetarët që ti i ke braktisur, sot po ndihen të vetmuar, të braktisur, pa adresë e pa mbështetje përballë COVIDit.
Sepse ata e kanë parë se qeveria e tyre, ka prioritete tjera.
Sepse nuk ka ndodhur askund, e më së paku është dashur të ndodhë tek ne, që kryeministri, shtetasit e të cilit për çdo ditë po humbin jetën si pasojë e pandemisë,
të merrej me zgjedhjet në një vend fqinj, kur nuk ka zgjidhur as edhe një çështje elementare që i duhet sot Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Për të qenë konkret, kryeministër, jeni zotuar se brenda këtij viti do të siguroni vaksinat dhe do të vaksinoni më shumë se gjysmën e popullit të Kosovës.
Jo vetëm që nuk e keni bërë dhe spo e bëni një gjë të tillë, por nuk e dimë edhe nëse keni provuar tashmë të flisni me ata që duhet të flisni për ti siguruar vaksinat.
Po të mos ishte ndihma e shteteve mike, për juve, as edhe këto 25 mijë vaksinat që tashmë janë dhënë, nuk do të kishin arritur. Dhe ju e dini shumë mirë.
Jemi vendi i fundit në rajon dhe ndër të fundit në botë për vaksinimin e popullsisë.
Për një kryeministër të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm, nuk do të duhej të kishte prioritet më të madh sot për sot, sesa për ta nxjerrë Kosovën nga kjo hartë e dështimit përballë pandemisë.
Shihni vendet e rajonit. Shihni Shqipërinë që prinë në Ballkan. Maqedoninë që nuk po i ndalë përpjekjet. Malin e Zi. Kroacinë.
Vetëm Kosova dhe Bosnja kanë mbetur në këtë pjesë të Evropës pa siguruar qoftë edhe një vaksinë të vetme.
Kjo e bën dallimin mes asaj që ju ligjëroni se do të ndodhë, me atë që po ndodhë konkretisht. Këtu po flasin faktet e jo dogmat.
Ku është përgjegjësia juaj kryeministër?.
Në cfarë frekuence jeni duke operuar, sepse një e tillë nuk po ju lidhë me realitetin.
Xhipat e blinduar dhe xhamat e errësuar siç duket ua kanë errësuar edhe pamjen dhe s’po shihni.
As nuk po doni, as nuk po dini. Dhe as që po provoni të mësoni.
Nëse deri me sot keni dështuar të siguroni vaksina, së paku do të duhej të na thonit se kur i prisni.
Sepse nëse keni dështuar të siguroni vaksinat, së paku është dashur t’i kishit përmbyllur negociatat.
Me kë keni folur?
Kur pritet të vijnë vaksinat për 60 % të popullsisë siç keni premtuar?
Këto nuk janë çështje politike. Këto janë çështje shtetërore dhe emergjente.
Nuk mund të mashtroni qytetarët me uljen e testeve e me konferenca shtypi, sepse sot nuk po flasim për statistika por për jetë njerëzish.
Po flasim për familjarë, prindër, e madje edhe të rinj në moshë që janë të braktisur dhe s’kanë as shpresë në qeverinë e vendit të tyre.
Nëse s’janë vaksinat, ku janë masat për ta mbështetur QKUK-në.
Buxheti është i miratuar. Në vend se ju të ishit duke zbatuar planin për furnizime me barna e gjëra esenciale, ju as plan nuk keni bërë akoma.
Keni nisur me deficite absolute, përballjen me një gjendje që kërkon mobilizim e përkushtim absolut.
Pra, juve ju janë ngatërruar kabllat. Dhe sot po e shohim në praktikë atë që dikur e thoshit në studio televizive, kur thoshit se nuk jeni as me Hegelin as me Kantin por diku si në mes.
Përcaktohu për njërin të lutëm, e mos na lë pa asnjërin, sepse për cilindo që përcaktohesh është më mirë sesa ky mesi yt i pa definuar e i kotë.
Përcaktohu. Nuk e kuptoj dot se si ju nuk e kuptoni se me çka po përballen qytetarët e Kosovës dhe s’i po e lexoni ju këtë përballje.
Ju nuk jeni duke e ditur se lodhja e qytetarëve me pandeminë, sot ka arritur në përmasa shqetësuese. Çdo individ e çdo familje që përballet me virusin, nuk ka aleat tjetër përveç fatit dhe Zotit.
E do të duhej ta kishte edhe qeverinë e vendit.
Për fund, i nderuar kryeministër Kurti,
Ne nuk ju kemi ftuar në këtë debat për t’iu thënë këto që po ti themi, por që ju të reflektoni.
Ky nuk është moment dobësie nga ana jote, të cilin ne po e shfrytëzojmë për të të bërë opozitë.
Ky është moment ftese që ne po të bëjmë, në mënyrë që ti të reflektosh urgjentisht, e ti lësh pas agjendat e kota dhe të marrësh përgjegjësitë që të takojnë.
Sepse do kemi kohë për secilën çështje, por nuk kemi as edhe një sekond për të humbur në përpjekjen për të siguruar vaksinat.
Vaksinat nuk janë instrumente e procedura. Janë mjete që shpëtojnë jetë dhe ne sot jemi pa to.
Prandaj abstenim nga përgjegjësia nuk ka.
Ose merrni përgjegjësitë që ju takojnë ose hiqni dorë, por popullin mos e merrni në qafë.
Sepse ju i keni braktisur ata, por ne nuk mund t’i braktisim dhe as ata vetë nuk do ta braktisin shpresën së kanë ku të mbështeten e në kë të llogarisin.