Ushtria amerikane trajnon shoferët e FSK-së

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka njoftuar se ushtria amerikane do t’i ndihmojë FSK-së edhe në një fushë.

Në një postim në Facebook thuhet se do të ndihmohen shoferët e FSK-së në automjete të caktuara.

“Dje ushtria amerikane ka siguruar trajnimin për shoferë dhe familjarizimin në mekanikë në Automjetin e Sigurisë dhe të Blinduar M1117 (M1117 Armored Security Vehicle). Ky trajnim mbështet FSK-në për tranzicionin 10 vjeçar. Shoferët e FSK-së tani do të ndërtojnë një plan trajnimi që ofron mundësi të mëdha të transportit për njësitë e sigurisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Kurse, nga zyra e informimit nga FSK-ja kanë thënë se ky trajnim është pjesë e mbështetjes së Ushtrisë Amerikane për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së në kuadër të planit 10 vjeçar të tranzicionit.

“Dje pjesëtarë e FSK-së së bashku me pjesëtarë të Ushtrisë Amerikane kanë kryer trajnim familjarizues për ngasje dhe mirëmbajtje në Automjete të Blinduara M1117. Ky trajnim është pjesë e mbështetjes së Ushtrisë Amerikane për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së në kuadër të planit 10 vjeçar të tranzicionit. FSK vazhdon të ngritë kapacitetet e veta dhe ndërveprueshmërinë me partnerët”.

 

Ambasada ka publikuar edhe disa fotografi nga trajnimi i së martës i ushtarëve kosovarë dhe atyre amerikanë.