Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka ndarë për Kosovën 95 mijë doza të vaksinës “Pfizer” në luftën kundër pandemisë COVID-19.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen me anë të një njoftimi në Twitter thotë se, “qëndrojmë përkrah partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, siç i thashë edhe Albin Kurtit”.
“95 mijë doza të vaksinave të financuara nga BE-ja do të arrijnë në Kosovë që nga muaji maj e deri në fund të gushtit. Ne jemi këtu në këtë së bashku”, ka thënë ajo, përcjell Telegrafi.
Qëndrojmë përkrah partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, siç i thashë edhe @albinkurti
95.000 doza të vaksinave të financuara nga BE-ja do të arrijnë në Kosovë që nga muaji maj e deri në fund të gushtit 🇽🇰
Ne jemi në këtë së bashku.
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) April 20, 2021
Po ashtu, Austria ka njoftuar se planifikon që deri në muajin gusht t’i shpërndajë 651 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë Pfizer për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si pjesë e një skeme të Bashkimit Evropian.
Në muajin janar, Komisioni Evropian ka prezantuar planin për shpërndarjen e vaksinave. Austria tha se do të shërbente si koordinatori i këtij mekanizmi për Ballkanin Perëndimor dhe se kjo shpërndarje e parë e dozave mund të ndiqet nga të tjerët.
Ato do të shpërndahen nga fillimi i muajit maj, sipas nevojës së vendeve për këto doza.
Bosnja e Hercegovina do të marrë pjesën më të madhe të vaksinave me 214 mijë doza, e ndjekur nga Shqipëria me 145 mijë doza, Maqedonia e Veriut me 119 mijë doza dhe Serbia është e fundit me 36 mijë doza.