Konfirmohen bisedimet Kurti-Osmani për drejtorin e ri të AKI-së, ende s’ka pajtim për emrin

Agjencia Kosovare e Intelegjencës ka mbetur tash e një kohë të gjatë me ushtrues detyre të drejtorit.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se mes kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani janë shtuar konsultimet në lidhje me drejtorin e ri të AKI-së.

Ai tha se së shpejti pritet të emërohet kryesuesi i institucionit kryesor të sigurisë në vend.

“Emërimi i drejtorit të AKI-së bëhet në konsultim me kryeministrin dhe presidentin. Ne jemi të vetëdijshëm për seriozitetin e kësaj çështjeje, dhe po punojmë që kjo të mbyllet sa më parë. Kurti e Osmani kanë shtuar konsultimet në këtë drejtim, dhe besoj që shumë shpejtë do të emërohet drejtori i ri i AKI-së”, tha Kryeziu.

Ndryshe, në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, për zgjedhjen e drejtorit të AKI-së, duhet pajtueshmëri mes kryeministrit dhe presidentit.