Vrau vjehrrën me thikë, dalin detajet e ngjarjes tragjike: Krimin e zbuloi bashkëshorti

Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja në Maqellarë, ku një 44-vjeçare qëlloi për vdekje me thikë vjehrrën e saj.

Ngjarja ndodhi mbrëmë. Për 6 orë, shtetaseje me inicialet M.M., ka fshehur krimin, ndërsa ngjarja u zbulua nga bashkëshorti i saj.

Ka qenë ky i fundit ai që njoftoi policinë, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje. Mësohet se vjehrra kishte kërkuar disa herë urdhër mbrojtje ndaj nuses dhe sipas banorëve konfliktet kanë qenë të hershme.

Jashtë banesës ku ndodhi krimi, në oborr ka pasur disa fëmijë, të cilët kanë dëgjuar ulërima. Sipas banorëve të zonës, kur nusja ka dalë jashtë, iu ka thënë fëmijëve se vjehrrës i dhembte koka ndaj edhe kishte bërtitur. Raportohet se pas 6 orësh ka qenë djali i viktimës, burri i 44-vjecares ai që ka zbuluar krimin. Kur ka hyrë në banesë ai ka parë nënën e tij të lyer në gjak dhe të pajetë, ndërsa ka njoftuar menjëherë policinë.

Ndërkohë, banorët e fshatit kanë bërë me dije se shtetaseje me inicialet M.M., vuan nga probleme të shëndetit mendor. Aktualisht ajo ndodhet pas hekurave, ndërkohë që policia po heton në lidhje me ngjarjen.