Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bashkë me presidenten Vjosa Osmani kanë vizituar sot Qendrën e Vaksinimit.
Me këtë rast, Vitia deklaroi se përveç Qeverisë dhe MSH-së që po merren me sigurimin e dozave të tjera të vaksinave është edhe presidentja Vjosa Osmani që vazhdimisht ka shprehur interesimin të ndihmojë në sigurimin e dozave të tjera të vaksinave.
Vitia tha se kontingjenti i parë i vaksinave ka ardhur me 24 mijë doza dhe se deri më tani janë vaksinuar mbi 3 mijë e 100 persona nga personeli shëndetësorë.
“Nga data 8-9 të këtij muaji do të filloj vaksinimi i personave mbi moshën 80 vjeçare, procesi po shkon mirë dhe është bërë shpërndarja nëpër komuna dhe qendrat po vazhdojnë të bëjnë njësoj vaksinimin e stafit mjekësor në komunat përkatëse. Ne nga dita e parë kemi filluar dhe intensifikuar përpjekjet tona për sigurimin e kontingjenteve të tjera të vaksinave dhe presim shumë shpejt që ky kontingjent të vie dhe ky proces i përgatitur kaq mirë dhe i realizuar kaq mirë nga personeli dhe MSH-ja edhe nga SHSKUK-ja e personeli në qendrat kryesore të mjekësisë familjare të vazhdojë deri në vaksinimin e plotë të qytetarëve.Jemi koshient se përveç vaksinimit janë të domosdoshme edhe masat”, tha ministri Vitia.
Ai tutje deklaroi se askush nga stafi mjekësor nuk ka hezituar që të marrë dozën e vaksinës së llojit ‘Astrazeneca’.
“E dinë rëndësinë e vaksinës dhe deri tani s’ka pasur asnjë hezitim që të vijnë dhe të vaksinohen sepse mbi të gjitha prandaj kemi filluar me personelin shëndetësore.Neve na duhen sepse personeli shëndetësor që nga fillimi ka qenë në krye të detyrës na duhet i shëndoshë dhe bashkërisht të vazhdojmë punën deri në përfundim të kësaj pandemie.U bëjë apel qytetarëve që t’i dalin në ndihmë personelit shëndetësore duke respektuar masat që janë të thjeshta si maska, distanca, higjiena dhe ajrosja e ambienteve të mbyllura.Bëj apel të respektohen masat në mënyrë që të ruajmë shëndetin e secilit prej nesh”, shtoi ai.