Vjosa Osmani ka parakaluar sot në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ në kryeqytet si presidentja më e re e shtetit të Kosovës.
Osmani e cila dy ditë më parë në Kuvendin e Kosovës u zgjodh presidente e vendit sot parakaloi në këtë shesh në ceremoninë solemne të pranimit të detyrës nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Në këtë shesh ishin bërë të gjitha përgatitjet ceremoniale, ndër të tjerash edhe parakalimi i gardës së FSK-së ndërsa të pranishëm ishin edhe zyrtarë të shumtë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ambasadori i Italisë Nicola Orlando dhe disa përfaqësues të tjerë shtetërorë.
Osmani pranoi detyrën e saj si Presidente e Kosovës pas zgjedhjes me 71 vota pro, 11 abstenime në kuadër të seancës së jashtëzakonshme të zhvilluar të dielën.
Vjosa Osmani në fjalimin e saj që pati pas zgjedhjes si presidente deklaroi se do të jetë presidente e të gjithëve dhe se do të luftojë për çdo pëllëmbë toke të shtetit të Kosovës, për të drejtat e njeriut anembanë vendit dhe se gjithnjë do të punojë me nderë dhe në kuadër të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.