I dyshuari për vrasjen që ndodhi mbrëmë në fshatin Gradicë të komunës së Drenasit është dorëzuar në stacionin policor.
Lajmi për dorëzimin e tij për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti bëri të ditur se i dyshuari është dorëzuar sot rreth orës 08:30, teksa shtoi se nga i dyshuari është sekuestruar një armë zjarri e cila dyshohet të jetë përdorur mbrëmë në rast.
““Sot rreth orës 08:30, është dorëzuar në polici i dyshuari për vrasjen që ndodhi mbrëmë në fshatin Gradicë. Xh. B. (mashkull) 54 vjeç,shtetas i Republikës së Kosovës, të cilit poashtu i është sekuestruar një armë zjarri që dyshohet të jetë përdorur në rast. Ndaj tij kanë filluar procedurat e nevojshme policore”deklaroi Ahmeti.
Tutje u shtua se në këtë rast plagë nga arma e zjarrit morën dy persona, por që njëri prej tyre nuk përballoi plagët e marra dhe ndërroi jetë.
“Rreth orës 20:30 policia ka pranuar informatën për një vrasje në fshatin Gradicë të Drenasit. Menjëherë pas marrjes së informatës të gjitha njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në të dhënat e deritanishme si dhe veprimeve të para hetimore policia ka ngritur versionin e hetimit se kemi të bëjmë me rast të vrasjes dhe plagosjes me armë zjarri, të ndodhur në një pyll në fshatin e sipërshënuar. Në këtë rast plagë nga arma e zjarrit kanë marrë dy persona (meshkuj). Njëri nga personat e plagosur nuk ka përballuar plagët dhe ka ndërruar jetë, vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF Drenas,ndërsa i plagosuri i dytë, është dërguar për trajtim mjekësor. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë po vazhdojnë punën hetimore për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të kësaj ngjarje”, ka deklaruar mbrëmë Ahmeti.