Universiteti i Prishtinës distancohet nga deklarata e profesorit Kastrati

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është distancuar nga deklaratat e profesorit të Fakultetit Filozofik të UP-së, Ardian Kastrati drejtuar presidentes Vjosa Osmani. UP thotë se në ditët në vijim do ta trajtojnë rastin.

“Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” njofton se ka ndjekur me shqetësim situatën e krijuar si pasojë e një shkrimi të publikuar dje në llogarinë e tij në facebook nga z. Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik të UP-së. Universiteti i Prishtinës ka mirëpritur krijimin e institucioneve të reja dhe shpreson në stabilizimin e rrethanave politike në vend. Por, në situatën e krijuar nga rasti i lartpërmendur, UP-ja njofton opinionin që, si institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, kërkon nga personeli i tij, që pavarësisht institucionit ku janë të angazhuar, me sjelljet, qëndrimet dhe deklaratat e tyre, të ruajnë imazhin e UP-së”, thueht në komunikatën e UP-së.

UP po ashtu ka dënuar gjuhën e përdorur nga Kastrati.

“Në këto rrethana, UP-ja distancohet nga deklarata individuale e profesor Kastratit si dhe dënon fuqishëm gjuhën denigruese të përdorur. Në suazat e përgjegjësive të veta statutare, UP-ja, në ditët në vijim, do ta trajtojë rastin në fjalë, në përputhje edhe me ligjet në fuqi”, theksohet në komunikatë.