Këngëtarja e njohur shqiptare, Dafina Zeqiri, gjatë muajit mars solli projektin e saj më të fundit muzikor, “Duro”.
Kjo këngë e cila është pritur mirë nga publiku, trajtoi një tematikë të ndjeshme, siç është ajo e shëndetit mendor.
“Duro” në tekstin e saj trajton dhimbjen që pësojnë personat që vuajnë nga depresioni, ankthi, PTSD e sëmundje të tjera mendore, si dhe stigmën që iu shkaktohet këtyre personave në shoqëri.
Pjesë e këtij projekti muzikor ishte edhe “Linja e Jetës”, e cila tash e sa kohë ofron shërbime falas në ndihmë të personave që kanë mendime vetëvrasjeje.
Duket se kjo këngë e ka arritur impaktin e duhur te publiku, pasi “Linja e Jetës”, kanë konfirmuar që më shumë persona kanë luftuar stigmën, duke rritur ndërgjegjësimin dhe duke thirrur në qendrën telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve.
Ka qenë vet kjo qendër që ia ka konfirmuar këtë fakt Zeqirit, duke i shkruar një mesazh privat në InstaDirect, të cilin më pas ajo e ka ndarë me ndjekësit e saj.
“Tung Dafina! Uroj që kjo kohë nuk ka qenë shumë e mundimshme për ty e që sa më shpejt ka me kalu edhe kjo periudhë! Së pari, falënderimin tonë ndaj jush kemi menduar ta verbalizojmë në takimin tonë, por për shkak të situatës, po e ndjej nevojën të të falënderoj përmes këtij mesazhi. ‘Duro’ ka pasur ndikim të pamatshëm në numrin e thirrjeve në linjën tonë. Çdo natë ka pasur thirrje të shumta nga shumë persona të cilët na kanë telefonuar, pasi që e kanë dëgjuar këngën tuaj dhe janë inspiruar të thërrasin te ne. Andaj, ju themi shumë herë faleminderit për një iniciativë të këtij lloji, që është duke e ndihmuar ‘Linja e Jetës’ me shpëtu sa më shumë jetë. Shumë dashuri, stafi i Linjës së Jetës”, ka qenë mesazhi që ‘Linja e Jetës’ i ka dërguar Dafinës.
Me të marrë këtë mesazh, vet këngëtarja është e lumtur që e ka përcjell këtë ndërgjegjësim te shumë njerëz.