Kurti pret në takim ambasadorin e Turqisë, nuk përmendet çështja e ambasadës në Jerusalem

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Ambasadori Sakar e ka uruar kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës dhe ka ritheksuar vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe kultivimin e mëtejmë të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve.

“Kurti e falënderoi ambasadorin për urimet dhe për përkrahjen e  vazhdueshme të Turqisë përgjatë të gjitha fazave të shtetndërtimit nëpër të cilat ka kaluar Kosova”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu u theksua se në takim u bisedua edhe për mundësinë e eliminimit të disa barrierave ekonomike që do të lehtësonin investimet dhe shkëmbime.

Ajo çfarë bie në sy në njoftimin e këtij takimi është se dyshja nuk kanë përmendur çështjen e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, veprim ky i kundërshtuar nga Turqia.