Lidhja Demokratike e Kosovës ende është e pavendosur lidhur me votimin e Vjosa Osmanit për presidente të shtetit.
Për të diskutuar këtë çështje, sot (e martë) lideri i partisë, Lumir Abdixhiku do t’i takojë deputetët e LDK-së, pas takimit që është mbajtur të hënën në kryesi të partisë e që ka zgjatur disa orë.
Për takimin e Abdixhikut me deputetët ka folur pas mbledhjes së kryesisë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Ai ka konfirmuar se partia e tij do të ketë rol konstruktiv në zgjedhjen e Vjosa Osmanit në postin e presidentes.
Haziri ka deklaruar se “LDK-ja do të evitojë çdo lloj pengese për formimin e institucioneve”.
“Kemi diskutuar për rolin tonë në ndërtimin e institucioneve. Nesër kryetari Abdixhiku dhe lidershipi do të takohet me deputetët. Ne do të vazhdojmë diskutimet me deputetë në mënyrë që përfaqësimi në Kuvend të jetë në frymë kushtetuese”, ka pohuar Haziri para mediave.