Ndeshjet e marsit duket të jenë me bereqet për Kombëtaren e Kosovës. Derisa në ditën e pranverës priteshin rrezet e diellit, ato u zëvendësuan me fjolla të dendura bore, të cilat mbuluan çdo pëllëmbë toke. Ndonëse gjithçka duket bukur, këtë nuk mund ta themi kur është fjala për stadiumet. Por, fushat që dje dhe sot dukeshin plotësisht të bardha sot po u rikthehet pamja origjinale. Federata e Futbollit e Kosovës gjatë ditës së sotme është mobilizuar dhe ka punuar me shumë përkushtim për të larguar boren nga këto hapësira. Stadiumi “Fadil Vokrri ku do të zhvillohet ndeshja miqësore kundër Lituanisë dhe ajo për kualifikimet e Botërorit “Katar 2022” kundër Suedisë po pastrohet nga bora, në mënyrë që të krijohen kushtet sa më të volitshme për lojë. E meqenëse FFK ka vendosur ta ruajë fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” për ndeshje, sot është bërë një mobilizim edhe nga tifozët “Dardanët”, të cilët si çdo herë janë të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre jo vetëm me brohoritjet e tyre, por edhe në forma tjera. Kësaj radhe ata iu kanë bashkëngjitur stafit të angazhuar nga FFK-ja për pastrimin e borës në fushën e Kampit Nacional Edukativ në Hajvali dhe kanë bërë pastrimin e saj, aty ku sot në orën 16:00 Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë stërvitjen e parë.