Ambasada e Kosovës në Stokholm ka njoftuar se është zgjidhur tashmë problemi i dokumenteve të lëshuara nga Agjensioni Suedez i Taksave – Skatteverket, ku tani e tutje në këto dokumente do të figurojë vetëm shteti i Kosovës.
Përmes një njoftimi është bërë e ditur se pas shqetësimeve të qytetarëve se në dokumentet e tyre krahas Kosovës është shkruar edhe shteti i Serbisë, ambasadorja e Kosovës atje, Shkëndije Geci-Sherifi ka filluar të punoj në këtë aspekt dhe kjo çështje është zgjidhur me sukses.
“Tash e tutje, në dokumentet tuaja do të figurojë vetëm shteti i Kosovës meqë: Agjencia Suedeze e Taksave ka ndryshuar politikën e saj dhe nuk do të regjistrojë më shtetasit kosovarë si shtetas serbë në Regjistrin Suedez të Popullsisë, kur një individ lëviz në Suedi nga Kosova”, thuhet në njoftim.
Tutje sqarohet se edhe “Agjencia e Taksave do të regjistrojë shtetësinë bazuar në pasaportën e individit ose dokumenteve nga Agjencia e Migracionit, për shembull uppehållstillståndkort, individët që janë të regjistruar si shtetas kosovarë dhe serbë mund të kërkojnë heqjen e regjistrimit të shtetësisë serbe”.
“Agjencia e Taksave do të vërtetojë kërkesën bazuar në dokumentet e paraqitura nga individi, informacionin në dispozicion kur individi ka ardhur në Suedi dhe rrethana të tjera të ndërlidhura me rastin përkatës. Ju falënderojmë për adresimin e këtij problemi në Ambasadë, bashkëpunimin si dhe për durimin e treguar”, thuhet në komunikatë.