Vazhdon gjahu i Speciales, a pritet të ketë arrestime të tjera? Flasin nga OVL-UÇK

Gjashtë ish-pjesëtarë të UÇK-së po gjykohen në Gjykatën Speciale në Hagë e të tjera po vazhdojnë të arresohen.

Dje, në Blegjikë u arrestua Pjetër Shala, në bazë të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar për krime lufte, të lëshuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Shala do të mbahet i ndaluar në Belgjikë, në pritje të transferimit në objektin e paraburgimit në Hagë, ndërsa së shpejti pritet të bëhen të ditura informacione rreth aktakuzës ndaj tij.

Në anën tjetër, OVL e UÇK-së po vazhdon ta konsiderojë politike Gjykatën Speciale.

Faton Klinku nga OVL e UÇK-së, ka thënë për lajmi.net se nuk dihet nëse do të ketë arresime apo intervistime tjera nga Gjykata Speciale.

“Nuk e dimë a do të ketë arrestime tjera nga Gjakata Speciale. Nuk kemi marrë kurrë paralajmërime për intervistime apo arrastime nga Gjykata Speciale. Nuk dimë se çfarë do të ndodhë. Kjo gjykatë është politike”, ka thënë ai për lajmi.net.

Ndërkaq, i arrestuari i fundit nga Gjykata Speciale, Pjetër Shala apo i njohur si “Komandant Ujku” ishte intervistuar më 20 shkurt të 2019-tës nga hetuesit e Speciales. Ai gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka qenë i angazhuar në zonën operative të Dukagjinit, në fshatin Dujakë.

Në Hagë po gjykohet ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ish-deputeti Rexhep Selimi, ish-kryetari i OVL e UÇK-së HysniGucatin dhe Salih Mustafa.