Java e ardhshme mund të jetë vendimtare sa i përket formimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Siç dihet, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën parlamentare me 58 deputetë, ku në këtë përbërje janë edhe deputetët nga lista e Vjosa Osmanit.
Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se i kanë votat për të votuar kryetarin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë Kurti 2.
Siç merr vesh Telegrafi, dy figurat kryesore të kësaj partie pritet të kenë dy pozitat kryesore në institucionet e vendit.
Kurti, i nominuar i LVV-së, pritet të votohet si kryeministër, ndërkaq Glauk Konjufca, numri dy i Vetëvendosjes, dhe i dyti më i votuar në këto zgjedhje pritet të propozohet si kandidat për kryetar të Kuvendit.
Telegrafit i kanë thënë burime brenda LVV-së, se profili i pozitës së Konjufcës është në mes të dy institucioneve, Kuvendit të Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ndryshe, Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është vendosur të mbahet të hënën me 22 mars, duke filluar nga ora 10:00.