Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka dorëzuar në Dhomat e Specializuara dhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, disa mocionet e parakohshme, e ku në njërën prej tyre kërkohet heqja e aktakuzës ndaj Thaçit, për siç thuhet, “mungesë të juridiksionit”.
Sipas mbrojtjes, akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit e tejkalojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara pasi që “asnjë nga akuzat nuk kanë të bëjnë me pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës, të përpiluar nga senatori Dick Marty, për ‘trajtim johuman të njerëzve dhe trafikim të paligjshëm me organet njerëzore në Kosovë’”.
Mbrojtja e Thaçit mbështetet në argumentet e saja se Dhomat e Specializuara janë themeluar për të zbardhur të vërtetën për akuzat e Dick Martyt.
“Debatet në Kuvendin e Kosovës për ndryshmet kushtetuese konfirmojnë se qëllimi ishte që të kufizohej juridiksioni i Dhomave të Specializuara, vetëm për pretendimet e raportit të Dick Martyt dhe që ky institucion të kishte mandat pesëvjeçar… Referenca për raportin e Dick Martyt në Kushtetutë nuk është thjesht ‘mbiemër’, por është qenësore për juridiksionin e saj”, thuhet në mocion.
Ndërkaq, në mocionin tjetër, që është deponuar, mbrojtja argumenton se Thaçit i janë shkelur të drejtat për një dëgjim të drejtë dhe të paanshëm publik si dhe për një gjykim të drejtë, brenda një kohe të arsyeshme. Andaj, ata kërkojnë nga gjyqtari i procedurës paraprake që ta lirojë Thaçin dhe të hedhë poshtë akuzat ndaj tij.
Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Gjykata Speciale e shqetësuar me “trysninë në rritje” në Kosovë
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.
Në këtë mocion, pala mbrojtëse pretendon se Dhomat e Specializuara kanë ngritur aktakuzë pas përfundimit të afatit të përkohshëm pesëvjeçar, që sipas tyre ka përfunduar në gusht të vitit 2020.
“Mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në thelb ishte i thjesht. (Ish-kryeprokurorja e Tribunalit në Hagë, Carla) Del Ponte kishte folur për trafik organesh, të cilat u konfirmuan me entuziazëm nga raporti i Martyt. Ky raport ishte shkas për hetimin e Task-Forcës speciale hetuese”, thuhet në mocionin e palës mbrojtëse, të cilët thonë se edhe vetë prokurori, që hetoi pretendimet e Martyt, Clint Williamson në gjetjet e tij, nuk kishte gjetur dëshmi të mjaftueshme për “trafikim organesh”.
“Përkundrazi, aktakuza nuk i referohet krimit të organizuar në Kosovë ose diku tjetër. Në këtë aktakuzë, Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk po ndjek penalisht krimet e pretenduara në raportin e Dick Martyt, por po ndjek një çështje tjetër, e cila, për arsyet e përcaktuara më sipër, nuk ka as juridiksion as autoritet për ta bërë këtë”, shtohet në mocion.
Përgjegjësitë individuale për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./REL/