Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, përmes një komunikate për media, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë po neglizhon ofertën e Kryeministrit të Shqipërisë, për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë.
Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla, për këtë çështje ka komunikuar me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri Nait Hasani, i cili siç thuhet në njoftim, është angazhuar direkt për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor në Kukës, por Ministria e Shëndetësisë së Kosovës deri më tani është duke e neglizhuar ofertën.
“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me mos reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë pas ofertës së Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për vaksinim të punëtorëve shëndetësor.
Kryetari i FSSHK-së Dr. Blerim Syla për këtë çështje ka komunikuar me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri z. Nait Hasani i cili është angazhuar direkt për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor në Kukës, por, për fat të keq Ministria e Shëndetësisë së Kosovës deri më tani është duke e neglizhuar ofertën, prandaj apelojmë tek Ministria e Shëndetësisë që nëse nuk ka mundësi dhe gatishmëri për organizimin e marrjes së vaksinave në Kukës për punëtorët shëndetësor atëherë Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës është e gatshme të merr komplet organizimin për realizimin e vaksinimit të ofruar,në të kundërtën çdo vonesë është përgjegjësi e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.