Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të marrë pjesë në takimin i cili pritet të mbahet javën e ardhshme (e hënë), për konstituimin e institucioneve të vendit.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, i cili tha se qëndrimet e tyre rreth formimit të institucioneve do t’i bëjnë të njohura në takim.
“PDK do të marrë pjesë në takimin e ftuar të hënën. Si parti kryesore opozitare, qëndrimet tona rreth formimit të institucioneve do t’i bëjmë të njohura në takim”, ka thënë Bytyçi.
Ndryshe, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeministër, Albin Kurti si dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani të enjten mbrëma u kanë dërguar letër partive politike për t’u takuar të hënën, më 15 mars për të diskutuar rreth konstituimit të institucioneve të vendit.