Ministria e Infrastrukturës njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, se përkundër reshjeve të borës, rrugët janë të kalueshme për qarkullim të automjeteve.
Sipas raporteve nga menaxherët e MI-së, rrugët që janë në menaxhim të institucionit, në vazhdimësi janë duke u pastruar nga bora dhe është duke u hedhur kripa, me qëllim të parandalimit të ngricave.
Edhe rrugët në viset malore si Bajgorë, Kullë, Bogë e Prevallë, janë të hapura për qarkullim të automjeteve.
Megjithatë, MI bën thirrje për kujdes të shtuar nga të gjithë shoferët gjatë vozitjes, në përputhje me rregullat e komunikacionit dhe kushtet atmosferike, që të evitohen aksidentet e mundshme.
Përkundër angazhimit maksimal të 14 kompanive në 7 regjione dhe atyre që përkujdesen për autostradat, reshjet e vazhdueshme dhe era, shkakton prezencë të borës në rrugë.
Rikujtojmë se MI është përgjegjëse për pastrimin e rrugëve rajonale, nacionale, magjistrale, autostrada dhe jo për rrugët lokale të komunave.