Drejtoria për Punë Inspektuese e Gjakovës ka asgjësuar 5.000 kg produkte ushqimore dhe 150 kg duhan që nuk ishin të sigurta për konsum.
E gjithë kjo ka ardhur pas një bashkëpunimi midis inspektorëve me policinë e Gjakovës.
Drejtori për Punë Inspektuese në Komunën e Gjakovës, Fazli Hoxha, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka bërë me dije se si drejtori nuk do të ndalen sa u përket inspektimeve, sepse synim kanë mbrojtjen e konsumatorit.
“Inspektorët në kuadër të Drejtorisë për Punë Inspektuese në Komunën e Gjakovës gjatë ditëve të fundit kanë bërë një punë intensive, e cila ka rezultuar me asgjësimin e 150 kilogramëve të duhanit, që paraprakisht ishin sekuestruar nga inspektorët, pas një bashkëpunimi me policinë e Gjakovës. Gjithashtu inspektorët e Tregut, Sanitar dhe Veterinarisë kanë asgjësuar rreth 5.000 kilogramë të produkteve të llojit ushqimor, që nuk ishin të sigurta për konsum. Po ashtu, inspektorët kanë bërë edhe sekuestrimin e 474 litrave që përmbanin produkte ushqimore, të cilat ishin në treg për shitje pa i plotësuar kushtet e përcaktuara ligjore. Nuk do të ndalemi sa u përket inspektimeve, sepse synim kemi mbrojtjen e konsumatorit”, ka shkruar Hoxhaj.