Italia që nga korriku do të prodhojë vaksinën ruse “Sputnik V” kundër COVID-19.
Kështu Italia do të bëhet vendi i parë i Bashkimit Evropian që do të prodhojë këtë vaksinë e cila ende është nën shqyrtim rreth përdorimit nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), shkruan Euronews.
“Vaksina do të prodhohet nga korriku 2021 në fabrikat e ndërmarrjes farmaceutike italo-zvicerane Adienne në Lombardi në Caponago pranë Monza,” i tha agjensisë së lajmeve AFP, Stefano Maggi, këshilltar për shtyp në Dhomën e Tregtisë Italo-Ruse.
“Dhjetë milion doza do të prodhohen mes 1 korrikut dhe 1 janarit 2022”, tha Maggi, duke theksuar se kjo është “marrëveshja e parë në nivelin evropian për prodhimin e vaksinës Sputnik në territorin e BE”.
Sputnik V nuk ka marrë ende miratim nga rregullatori i BE’së, i cili filloi shqyrtimin javën e kaluar.
Autoritetet ruse thonë se janë të gatshëme të sigurojnë vaksina për 50 milion evropianë duke filluar nga qershori.
Disa vende të BE’së, duke përfshirë Hungarinë dhe Sllovakinë, kanë filluar administrimin e vaksinës ruse pa pritur miratimin e EMA’së.
Sputnik tani është aprovuar në 46 vende, pavarësisht se hasi fillimisht me skepticizëm në Perëndim.